Teksa Ilir Meta ka nisur të flasë për luftë kundër korrupsionit pas ndryshimit të emrit të partisë nga LSI në Partia e Lirisë, Report Tv sjell sot për herë të parë të dhëna zyrtare, të cilat ngrenë dyshime të forta për një tjetër skemë korrupsioni të kryetarit të Partisë së Lirisë me paratë publike. Vladimir Metani, i njohur si daja i Ilir Metës, ka marrë miliona euro nga buxheti i shtetit për punë publike, ku në të njëjtën kohë rezulton financues i Lëvizjes Socialiste për Integrim, partisë së nipit të tij.

Metani, të cilit Meta i ka besuar drejtimin e fushatave elektorale në Kamëz, i ka përfituar paratë publike kryesisht nga bashkitë, gjatë kohës që drejtoheshin nga përfaqësues të LSI, pra nga njerëzit e besuar të Ilir Metës, por edhe nga kryebashkiakët të PS gjatë qeverisjes PS-LSI dhe më pas.

Të zgjedhurit e LSI kalonin paratë publike në llogaritë e dajës së Ilir Metës, përmes tenderave të dyshimtë dhe në vlera të mëdha, ndërsa Metani më pas i kalonte një pjesë të parave në llogaritë e LSI-së. Jo vetëm kaq. Në të njëjtën kohë kur merrte para publike, Metani mblidhte vota për LSI-në në zonën e Kamzës. Është pothuajse e njëjta skemë si me kunatin e Ilir Metës, Drini Kryemadhi, me ndryshimin se në rastin e dajës bëhet fjalë për miliona euro.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka depozituar një raport financiar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2016. Bashkë me raportin edhe listën e donatorëve. Mes financuesve të LSI-së figuron edhe emri i Vladimir Metanit, dajës së Ilir Metës. Në vitin 2016, Metani ka kaluar në llogaritë e LSI-së 9.6 milionë lekë të vjetra. Në këtë listë figuron edhe Drini Kryemadhi, vëllai i Monika Kryemadhit, i cili ka përfituar 350 mijë USD në formë pagash nga koncesionari i kolaudimit të mandarinave SGS. Mes donatorëve ka edhe biznesmenë të tjerë që kanë përfituar para publike, në konflikt interesi dhe nën hije të forta korrupsioni.

Metani merr para publike nga kryebashkiakët e LSI-së

Vladimir Metani është pronar i vetëm i kompanisë së ndërtimit ‘Desaret Company’, me nipt: K01816001J, themeluar në vitin 1996.

Në 22 qershor 2016, Bashkia e Skraparit, e kontrolluar deri në vitin 2019 nga Ilir Meta, ka shpallur fituese kompanitë ‘Desaret Company’ dhe ALB LEAA INTERNATIONAL të tenderit me vlerë rreth 2 milionë euro, për rikualifikim të disa hapësirave në Skrapar. Diferenca mes fondit limit dhe ofertës fituese është rreth 600 mijë lekë.

Në 7 korrik të vitit 2017, Bashkia e Skraparit e ka shpallur fituese kompaninë e Metanit të tenderit me vlerë rreth 500 mijë USD për rikonstruksionin e Shkollës 9 -Vjeçare “Kahreman Ylli” në Çorovodë. Tenderi është shënjuar më flamur të kuq për shkak të anulimit më shumë se një herë. Ndërkaq, diferenca mes fondit limit dhe ofertës fituese është vetëm 342 199 lekë. Në 24 prill të vitit 2018, ‘Desaret Company’, do të shpallej po nga Bashkia Skrapar fituese e tenderit për rikonstruksionin e rrugës së fshatit Munushtir, me vlerë rreth 100 mijë euro.