Deputetja socialiste Klotilda Ferhati është përzgjedhur nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës raportere për raportin dhe rezolutën për të drejtën e informimit mbi dokumentat historikë me fokus ish regjimet autoritare që do të hartohet nga kjo Asamble. Lajmin e ka bërë të ditur përmes një statusi vetë deputetja Ferhati.
Statusi i plotë:
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vendosi të hartohet një raport e të diskutohet një rezolutë për të drejtën e informimit mbi dokumentat historikë me fokus ish regjimet autoritare. Asambleja kërkon një studim për Europën mbi këto çështje dhe hartimin e rekomandimeve për shtetet anëtare, me synim që e vërteta objektive të bëhet transparente dhe mos përsëriten më gabimet e të shkuarës.
Jam e nderuar që Komiteti i Çështjeve Ligjore në Asamble vendosi me unanimitet caktimin tim si raportere për këtë raport dhe rezolutë! Besoj fort se kjo përgjegjësi që mu dha do i shërbejë, përveç të tjerave, dhe standarteve më të mira për proceset parlamentare që kemi nisur në Kuvend për transparencën e plotë lidhur me dosjet e ish sigurimit të shtetit dhe moslejimit të personave bashkëpunëtorë të ish sigurimit të shtetit diktatorial, për të qenë pjesë e jetës publike e politike në Shqipëri.