Ka përfunduar pa rezultat konkret takimi mes Gazment Bardhit e Edi Palokës, të mandatuar si negociatorë për bashkimin e demokratëve në kuadër të zgjedhjeve vendore.
Demokratët zhvilluan sot përpjekjen e parë të bashkimit të partisë, ndërsa motorët për zgjedhjet vendore të 2023 janë ndezur.
Dy negociatorët e mandatuar nga palët, përkatësisht Gazmend Bardhi nga grupimi i Alibeajt dhe Edi Paloka nga Rithemelimi, u takuan për më shumë se 60 minuta, takim I cili nuk prodhoi rezultate konkrete.
“Vazhdojmë diskutimet”, tha shkurtimisht për mediat, deputeti demokrat Gazment Bardhi, ndërsa doli nga takimi.
Ndërkohë Edi Paloka e sheh gotën gjysmë plot. Në përfundimin të takimit me kolegun Bardhi, ai u shpreh se takimi nuk ka dështuar ndërsa shtoi se ka vullnet të përbashkët për të dalë me një kandidat në zgjedhjet e ardhshme vendore.
“Kur të kemi diçka do ju njoftojmë, ka vullnet të përbashkët për të dalë me një kandidat. Nuk ka dështuar takimi” u shpreh Paloka, duke lënë të hapur mundësinë e një tjetër takimi gjatë ditës së sotme.
Takimi mes Gazmend Bardhit dhe Edi Palokës u zhvillua pa praninë e mediave, në një prej lokaleve të Tiranës në afërsi të parlamentit.