“Rusia ka blerë UAV nga Irani në kundërshtim me rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Këto UAV po përdoren për të goditur civilët ukrainas dhe infrastrukturën civile kritike”.

Kështu deklaron ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim duke shpërndarë një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me dërgimin e dronëve nga Teherani për Rusinë, të cilët janë përdorur ditët e fundit për të sulmuar në Ukrainë.

“Sot, Shtetet e Bashkuara iu bashkuan Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës në ngritjen e çështjes së transferimit të UAV-ve nga Irani në Rusi në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku anëtarët e Këshillit morën informime ekspertësh nga Sekretariati i OKB-së mbi raportet e transferimit të këtyre armëve të rrezikshme.. Ne shprehëm shqetësimet tona të rënda për blerjen nga Rusia të këtyre UAV-ve nga Irani në kundërshtim me rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, deklaroi DASH.

Sipas deklaratës, Shtetet e Bashkuara filluan të paralajmërojnë në korrik se Irani po planifikonte të transferonte UAV në Rusi për t’i përdorur në luftën brutale të Rusisë kundër Ukrainës dhe tani kemi prova të bollshme që këto UAV po përdoren për të goditur civilët ukrainas dhe infrastrukturën kritike civile.

“Ndërsa Irani vazhdon të gënjejë dhe të mohojë ofrimin e armëve Rusisë për përdorim në Ukrainë, ne jemi të përkushtuar të punojmë me aleatët dhe partnerët për të parandaluar transferimin e armëve të rrezikshme në Rusi. Ne nuk do të hezitojmë të përdorim sanksionet tona dhe mjete të tjera të përshtatshme për të gjithë të përfshirët në këto transferime. Ne gjithashtu do të vazhdojmë të shtojmë ndihmën e paprecedentë të sigurisë për Ukrainën, duke përfshirë aftësitë e mbrojtjes ajrore, në mënyrë që Ukraina të mund të mbrohet nga këto armë”, ka theksuar DASH.