Analisti Lorenc Vangjel ka komentuar fjalimin e kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, në lidhje me rishikimin e raportit të Dick Marty. Ai u shpreh se ishte një akt politik i duhur dhe i drejtë. Për sa i përket reagimeve negative lidhur me fjalën e kryeministrin Rama, Vangjeli tha se nuk duhet të merren me individin, por me thelbin e asaj që ndodhi në sallë.
Sipas Vangjelit, fjalimi i Ramës është një nga rastet e rralla që Shqipëria tenton të ketë dinjitet. Lorenc Vangjeli: Ishte një fjalim që ngjante si një tërmet në det. Dallga që shkakton është një cunam. Që andej dallga erdhi dhe na përmbyti këtu, duke na nxjerrë edhe një herë në pah portretin tonë që dëshpërimisht duhet të ishte ndryshe. Është një rezolutë e Dick Martyt, që në këtë dynja jo gjithmonë bën punë të mbara. Ai ngre një akuzë të jashtëzakonshme që për medien dhe opinionin është një ushqim i jashtëzakonshëm. Akti politik që ndërmori Shqipëria është një akt politik i duhur dhe i drejtë, meriton veç duartrokitje.
Cunami që pasoi në Tiranë pastaj është në mënyrë lebetitëse dëshpërues. Në Tiranë dhe Prishtinë dashuria jepet qelepir për hir të urrejtjes. Askush nuk shikon thelbin e asaj që ndodhi në atë sallë, por merren me detaje të vogla. Askush nuk u mor me thelbin, duhej të bëhej apo jo, a është e nevojshme që ne ta bëjmë dhe ta bëjë Shqipëria një akt të tillë apo jo. Ata merren me Edi Ramës. Ky është i lig, dhe çdo gjë që bën ai është e ligë. Kjo është opozita reaktive, që çdo gjë që ndodh, po ndodhi gjatë mandatit të Edi Ramës është e ligë. Ashtu siç mendonin deri dje socialistët e Edi Ramës për ato që ndodhin nën mandatet e Sali Berishës.
Analisti analizoi edhe reagimin e kryeministrit Ramw në Twitter. Sipas tij, nëse Shqipëria do të ishte një demokraci stabël dhe do të ishte një vend i fortë nuk do të kishte reagime të tilla sepse nuk janë marrë me thelbin. Lorenc Vangjeli: Është një akt politik dhe dinjitoz. Nga të rrallat rast të tilla që Shqipëria tenton të ketë dinjitet. Problem i madh në sallë është se merren me individin. Edhe vetë Evropa ka probleme, vetëm Zoti është i pagabueshëm.