Tirana mirëpret Forumin e Shëndetit dhe Mirëqenies për të Rinjtë, ku mori pjesë edhe Drejtori i OBSH për Europën, Dr. Hans Kluge. I pranishëm në forum ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se është i lumtur që ka drejtuar Tiranën, sidomos në vitin kur ka mbajtur titullin “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”. Ai tha se është e rëndësishme që të rinjtë të mbajnë lidhje me njëri-tjetrin sepse vetëm kështu mund te ecin përpara.
“Eshte nje kënaqësi që të jem drejtues i qytetit më entuziast, nuk po them më të bukurin apo më të vjetrin, por për “Kryeqytetin Evropian te Rinisë 2022”. Dua t’ju sjell ndermend një këngë nga “Faithless”, me titull “Mass Destruction”, kur të gjithë po flasim për shkatërrimin në masë dhe shumë po flasin për atë që po ndodh në Ukrainë dhe Rusi. Njerëzit po flasin për rrezikun bërthamor dhe nuk e harrojmë atë që ndodhi në Çernobil, në Hiroshima dhe Nagasaki. Por, kjo këngë e bukur nga “Faithless”, flet për një koncept tjetër të shkatërrimit në masë; ajo thotë se frika është një armë e shkatërrimit në masë, njerëzit janë të frikësuar nga njeri-tjetri, kanë frikë të komunikojnë, të rrëfehen, të flasin për atë që po ndodh. Keqinformimi është një armë e shkatërrimit në masë. Gjatë kohës së pandemisë ne pamë plot idiotë, që hynin në mediat sociale dhe silleshin sikur ishin ekspertë kundër vaksinave, kundër tokës që është e rrumbullakët, duke pretenduar se është e sheshtë. Thoshin sesi OBSH-ja ka futur një çip në vaksinë. Pra, keqinformimi është një armë e shkatërrimit në masë sepse i vret njerëzit, nuk është më për të qeshur. I vetmi antidot, e vetmja vaksinë, i vetmi kundërhelm ndaj keqinformimit, është që të rinjtë të bashkohen, të përhapin të vërtetën dhe të mbajnë një qëndrim sa herë që një idiot ulet në tavolinë, del në sheshin e qytetit, apo në ekran, të përballet me të vërtetën, me atë që thotë shkenca dhe të përballet me një shoqëri morale të bashkuar dhe besoj se ky është edhe qëllimi i kësaj konference. Pasi të ikni nga Tirana, do të merrni me vete një trashëgimi që janë njohjet tuaja, partneriteti dhe projektet e së ardhmes. Ky do të jetë edhe rezultati më i mirë i konferencës”, u shpreh Veliaj.
Forumi për Shëndetin dhe Mirëqenien e të Rinjve po zhvillon punimet e tij në Tiranë nga data 25-27 Tetor, i cili mbledh bashkë qindra të rinj nga 42 vende të Botës, së bashku me qeverinë dhe partnerët e shoqërisë civile, për t’u angazhuar në dialog të vërtetë, për të krijuar besim dhe për të gjetur mënyra më të mira për të përfshirë të rinjtë në vendimet e politikave që ndikojnë në shëndetin dhe të ardhmen e tyre.