Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Azgan Haklaj deklaroi se figura të rëndësishme të kësaj force politike, kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.
Në një intervistë për Euronews Albania, Haklaj tha se në disa media, është publikuar se ish-ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli ka qenë një ndër to.
Ndër të tjera, Haklaj u shpreh se kryedemokrati Sali Berisha, duhet të ishte i pranishëm në sallën e Parlamentit për të votuar ligjin për hapjen e dosjeve.
“Sot Partia Demokratike është e ndarë, politikisht, juridikisht sepse është në gjykatë, moralisht, filozofikisht dhe në ideologji. Ndarja e fundit, ideologjikisht, ndodhi në Parlamentin e Shqipërisë, në votimin për hapjen e plotë të dosjeve të qytetarëve. Nata e së enjtes në Parlament, ishte një ekuinoks politik, tashmë do të ndriçohet se çfarë ka ndodhur edhe gjatë kohës së diktaturës dhe pasojet në neo-diktaturë.
Efektet e para po i shohim që tani, po publikohen figura të rëndësishme të politikës shqiptare, të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit, të PD-së, disa figura të rëndësishme po dalin bashkëpunëtore të Sigurimit të Shtetit. Për shembull, Genc Ruli. Mediatikisht, njerëzit po flasin, kjo duhet të vërtetohet”, theksoi ai.