Chelseat thuhet se i është dhënë drita e gjelbër për të bërë një lëvizje për Frenkie de Jong në afatin kalimtar të janarit. Holandezi ishte i lidhur me një largim nga Barcelona edhe në verë, por ai nuk e dëshiroi largimin dhe mbeti në “Camp Nou”. Megjithatë, së fundmi kanë qarkulluar lajmet se Frenkie është i hapur për t’u larguar në janar, pasi nuk po ndjehet i lumtur te Barça dhe nuk po ka minuta të mjaftueshëm. Gavi, Pedri dhe Busquets po preferohen në mesfushë nga trajneri Xavi. Dhe, kjo besohet se po e shtyn ish-mesfushorin e Ajaxit për t’u larguar në janar.

Sipas të përditshmes britanike “Express”, presidenti i Chelseat, Todd Boehly, ka marrë dritën e gjelbër nga kampi i 25-vjeçarit për t’u hedhur në “sulm” në janar, duke tentuar transferimin e tij. Kësisoj, “Blutë” tani po vlerësohen favorit për të transferuar reprezentuesin e Holandës, i cili u kërkua me ngulm nga Manchester Unitedi. Ndryshe, Frenkie de Jong me Barcelonën ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2026. Sipas “Transfermarkt”, ai momentalisht në tregun e transferimeve vlerësohet me 60 milionë euro.