Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri i cilësoi zgjedhjet vendore të vitit 2023, si aspak të lehta, por theksoi se nuk i tremb fakti që përballë kanë Sali Berishën dhe Ilir Metën. I ftuar në një emision televiziv, Gjiknuri tha se socialistët pritet të fitojnë më shumë se 40 bashki, pra një raport 2-1.

“Nuk janë zgjedhje të lehta. Kanë ndodhur edhe aksidente që në territore të dominuara nga e majta ka fituar e djathta, rasti i Përmetit në 2015, dhe ne pësuam humbje, fitoi PD. Këto janë mësime, duan kandidatë të mirë, por edhe të gjithë strukturat e PS-së së bashku me kandidatin, se është vështirë për të fituar. Janë gara të forta, por mendoj që kontrasti është i qartë, kandidatët dhe strukturat do i kemi më të mira. Gara do jetë e fortë kudo. Them që PS, nga të dhënat që kemi, do fitojmë në raport 2-1. Nuk na trembin, edhe pse janë bashkë”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri renditet në krah të atyre njerëzve që mendojnë se Erion Veliaj duhet të rimarrë një mandat tjetër. “Mendoj që Veliaj është i avantazhuar si kandidat, ka bërë beteja elektorale, mendoj që është kandidat i duhur. E meriton të rimandatohet. Qytetarët e Tiranës do e bëjnë diferencën”, shtoi Gjiknuri.

Nga ana tjetër, Gjiknuri u ndal edhe te Lulzim Basha, i cili tashmë është “në prapaskenë”, duke e quajtur si politikan të paaftë. “Basha ishte i paaftë, mendonte që pushteti do i vinte vetë, pa aleatë”, tha ai.