Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut Elbasan zhvilloi sot një vizitë në një nga bizneset e rëndësishme të zonës, që është një fabrikë e riciklimit të baterive si dhe e riciklimit dhe prodhimit të aluminit.
I shoqëruar dhe nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, Gjiknuri u njoh me teknologjinë e re si dhe me projektet për zhvillimin e tij.
Gjiknuri theksoi se Elbasani ka të gjitha mundësitë për të qenë një qendër e rëndësishme industriale e vendit. “Elbasani ka një shans për t’u kthyer në një klaster të mirëfilltë industrial, pasi ka një pozicion të jashtëzakonshëm strategjik. Ka lidhje shumë të mirë me rrjetin energjetik, është në qendër të Shqipërisë. Sot jam në një nga bizneset e rëndësishme të zonës, që është një fabrikë e riciklimit të baterive, riciklimit dhe prodhimit të aluminit. Këto janë industri bazë në traditën e një industrie të ndërtuar përpara viteve ‘90 në zonën industriale të Elbasanit, janë biznese që sa vjen dhe po shtohen”, tha ai.

Numri dy i socialistëve siguroi se industria do të ketë të gjithë mbështetjen e nevojshme nga shteti për të ecur përpara. “Natyrshëm kanë nevojë dhe për ndihmë nga shteti, kanë nevojë dhe për t’u zgjeruar. Këtu biseduam me Kryetarin e Bashkisë dhe kam folur dhe me Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë që të përpiqemi që këto biznese shqiptare, sidomos në industrinë prodhuese, shumë të rëndësishme për bazën industriale dhe zhvillimin e Shqipërisë, të ecin përpara dhe t’iu japim mbështetjen e nevojshme. Mua më vjen mirë, që edhe këtu, edhe në vende tjera, kanë filluar të instalohen panele diellore. Shpresoj që edhe politikat nxitëse të qeverisë të zgjerohen në këtë drejtim, me qëllim që të gjitha bizneset dhe industritë, të investojnë në prodhimin e energjisë. Edhe kursejnë energjinë nga rrjeti energjetik, por njëkohësisht mund të shërbejnë edhe si prodhuese të energjisë për rrjetin energjetik shqiptar. Industria është bazë e zhvillimit”, shtoi Gjiknuri.

Drejtuesi politik i qarkut Elbasan vlerësoi dhe angazhimin e Bashkisë së Elbasanit për të lehtësuar bizneset në punën e tyre dhe veçanërisht industrinë e cila ka një traditë tashmë në këtë qytet. “Unë besoj se Elbasani është dhe do të jetë në të ardhmen zona më e madhe industriale, që do të kontribuojë në prodhimin e brendshëm. Bashkia, Gledi është në mbështetje të bizneseve këtu. Patjetër që do i përkrahë më shumë. Jam i bindur që si Kryetar Bashkie u ka qëndruar pranë dhe do të marrë angazhimet e tij, që të krijojë çfarëdolloj lehtësirash për kërkesat që mund të kenë për dhënien e lejeve të ndërtimit, për zgjerim brenda rregullave, të mbarojnë punë sa më shpejt, sepse biznesi për këtë ka nevojë. Ka nevojë për zgjerim, ka nevojë për shumë lëndë të parë. Më bëhet qejfi, sepse e gjithë baza metalore zhvillohet në Elbasan”, nënvizoi Damian Gjiknuri.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja u shpreh optimist se në Elbasan do të zhvillohet dhe industria e prodhimit të pjesëve për automjetet elektrike. Teksa foli për masat e marra për ruajtjen e mjedisit, kryebashkiaku Llatja deklaroi se një vëmendje e posaçme po i kushtohet dhe vendosjes së fotovoltaikëve. “Shpresoj shumë të dalim edhe me bateri “Made in Albania”. Të kemi kushtet për segmente të industrisë botërore, që po ecin me ritme shumë të shpejta, sidomos për makinat elektrike. Këtu është një model i mirë. Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me bizneset, sa i përket pjesës së ndotjes së mjedisit. Kemi pasur edhe procedura mbështetje për vendosjen e fotovoltaikëve. Kemi mbështetur me të gjitha procedurat, përshpejtimin e tyre për të gjithë bizneset që kanë dashur, në këtë kohë të vështirë të krizës energjetike, të prodhojnë kapacitetet e tyre energjetike. Do të vazhdojmë t’i mbështesim edhe në të ardhmen, me të gjitha nevojat që ato kanë”, tha Llatja.
Në bashkëpunim dhe me bizneset e zonës, Bashkia e Elbasanit po vijon mbjelljen e pemëve në të gjithë zonën industriale dhe atë të qytetit.