GJKKO ka lënë në fuqi masën e “arrestit me burg” për Gentian Malindin, biznesmenin e arrestuar dy ditë më parë në afërsi të Vorës pasi ishte në kërkim se akuzohej për një nga linjat e trafikut më të madh të drogës në Europë. Sipas bluve, 46-vjeçari u kap në afërsi të Urës së Gjolës teksa po udhëtonte me automjetin e tij.

Gjatë kontrollit fizik, efektivët i gjetën 1050 euro, 11 500 lekë të rinj, 3 aparate celulare dhe dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin me të cilin qarkullonte biznesmeni.

Ndaj 46-vjeçari ishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Kuito”.

Ndërsa tani ndaj tij është shtuar edhe akuza për “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, pasi qarkullonte me dokumente identifikimi kosovare, të falsifikuara.