Nga Plator Nesturi

Nuk vonoi shumë, disa ditë më pas se Presidenti i Republikës të shpallë datën e zgjedhjeve më 14 maj, që Berisha nga ana e tij të shpallë një datë tjetër, 12 nëntorin, si ditë proteste kundër qeverisë Rama. Madje ka dhe një detaj tjetër. Vendimi për protestën opozitare u bë një ditë pasi Escobar ripërsëriti akuzën se Berisha mbetet një rrezik për demokracinë në Shqipëri dhe se SHBA nuk mund të pranojë personat e shpallur non grata.

Përtej këtyre, pra kur përcaktohet një garë elektorale dhe kur nga ana tjetër e oqeanit ka një deklaratë direkte personale kundër tij, Berisha kërkon të mbetet i ravijëzuar si aktor dhe faktor politik, pavarësisht izolimit të plotë që po i bëhet.

Në një garë elektorale, dhe veçanërisht në ato për pushtetin vendor, aktorët kryesorë që dalin në skenë janë kandidatët për kryetarë bashkie pasi ata përballen me qytetarin dhe kërkojnë të bëhen përfaqësues të komuniteteve të veçanta të vendit. Me sa po shihet dhe me lëvizjet që po bën, Berisha duket se e do skenën për vete dhe ku të tjerët, qofshin kandidatë bashkiakë a figura të tjera të larta, mund të jenë thjesht figurantë të një teatri të lodhur e nga ku spektatorët po largohen gjithmonë e më shumë nga salla.

Sepse i duhet protagonizmi dhe dora e fortë, qoftë edhe në një parti të çartallosur, nuk është e vështirë të kuptohet. Por skema e ripërsëritur vështirë se mund të funksionojë me të njëjtin rezultat.

Ndërsa Berisha i grushtshtetit të vitit 1998 ish i izoluar nga faktori ndërkombëtar, ai rezistoi me ngulm brenda zyrës së tij për vite me rradhë dhe duke mbajtur me grusht të hekurt militantë, besnikë e interesa të pushtetit të dikurshëm, arriti gradualisht të rinjihej si faktor politik, çka i hapi më vonë rrugën për fitimin e zgjedhjeve të 2005-ës. Por kushtet kanë ndryshuar dhe formula e dikurshme duket se e ka humbur efektin.

Non grata është një mur i lartë që i është vënë, dhe lartësia e godinës së PD-së është tepër e ulët për të parë se çfarë ndodh se çfarë luhet përtej këtij muri. Nga ana tjetër Berisha nuk ka kohë të ngujohet e të jetë i duruar për një kohë të gjatë brenda zyrës së vet, në pritje të ditëve më të mbara për të.

Ndaj ai nxiton. Nxiton të mbajë ritmin e tij të dikurshëm ndërkohë që duhej të shijontë pauzat e qetësisë së moshës.

Nxiton tu presë hovin gjithkujt në PD për të përmbushur ambiciet për karrierë politike dhe të mbajë predominancën e Njëshit të padiskutueshëm. Nxiton në një rrugë zigzakesh e të tapëpjetash si midis Shilës dhe Karibdës, ku nga njëra anë janë ndërkomatarët dhe nga ana tjetër institucionet e drejtësisë. Veçse në kë të rrugëtim aventuresk e rraskapitës, PD-ja që i duhet aq shumë për këro përballje, po copëtohet më keq gërxheve e krepave nga e kanë futur.

Sidoqoftë kumti është dhënë dhe në 12 nëntor do të ketë protestë. Motivi mbetet i njëjtë dhe i pandryshuar. Do të rrëzohet Edi Rama dhe pushteti i tij autokrat. Kështu ish deklaruar dhe në çdo ditë të bekuar të gushtit kur njerëzia freskohej buzëdetit. Që me shtatorin e vjeshtën pas, do ish një klimë më e nxehtë prej protestave për të shkatërruar e rrëzuar Ramën.

Nuk ndodhi kështu se u pa që ushtrisë nuk i mbanin më këmbët. Se partia mbetet e traumatizuar nga kriza e rëndë që ka pësuar, se ndarja është evidente dhe së poshtmi pakënaqësia e abandonimi i ish militantëve është e ndjeshme. Por Berisha nxiton. Nxiton të tregojë forcë e të dëshmojë se ende mbetet gjeneral, ndonëse ushtria është me moral përtokë dhe i ka humbur besimi te komandantët.

Pavarësisht se beteja e vërtetë duhet të jetë përballja elektorale dhe forcën një parti politike e vërteton me votat që i beson qytetari, skema për të dëshmuar forcë e agresivitet përmes shoë të protestave, mund ti kushtojë më rëndë vetë opozitës në rezultatet pas 14 majit. Ezaurimi i energjive për hir të interesave të drejtuesit politik me damkë non grata, e shpërqëndron fokusimin electoral, shton agresivitetin në një mjedis fushate dhe ul së tepërmi efektshmërinë e kohën për tiu drejtuar drejtpërsëdrejti qytetarit për vizionin që ke. Në fund të fundit, skema e protestave është thjesht një imitim i asaj çka bëri Basha, i cili po anatemohet sot prej të gjithëve. Nëse ka mbetur gjë pa u imituar Basha është veç të dalin sërish nga gara në zgjedhje pas irritimit postprotesta.

Pavarësisht këtyre arësyetimeve, më 12 nëntor do të ketë protest. A do të jetë thjesht një manifestim një përdorimësh i opozitës apo do të jetë nisje e një serie protestash këtë nuk e dimë. Motive për protesta gjenden gjithmonë dhe Shqipëria ka jo pak arësye për të bërë të tilla nga shumë grupe interesash.

Ashtu siç një motiv është dhe fakti se mund të protestohet edhe kundër Berishës vetë, si pengues i evolucionit të brendshëm të PD-së, si akaparues dhe që po e çon opozitarizmin aktual drejt falimentit të plotë. E sigurt që në këtë protestë nuk do të ketë ama asnjë socialist kundër tij. Pikërisht me Berishën në krye të PD-së, i kanë të sigurta betejat zgjedhore edhe për shumë e për shumë kohë.