Nga Dritan Hila

Nëse ka një fjalë me vend që ka thënë Pandeli Majko në këto 32 vite jetë politike, është shprehja drejtuar Enkelejd Alibeajt që “nuk mund t’i bëjmë dosjet e sigurimit si fejsbuk”.

Në fakt, disi të ngjashme janë bërë. Në 32 vite të tranzicionit, arkiva e sigurimit të shtetit është masakruar. Politikanë aktivë që kanë pasur lidhje me shërbimin sekret, kanë futur duart për të zhdukur ose manipuluar dosjet e tyre. Të tjerë kanë marrë dosjet për t’i përdorur si armë ndaj kundërshtarëve politikë. Për të kaluar në drejtorë institutesh dhe arkivash, që i kanë përdorur thjesht si banditë për të vënë gjoba ndaj ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit.

Përveç këtyre, ka pasur një veprimtari akoma më kriminale ku heronj të demokracisë kanë shitur dosjet e bashkëpunëtorëve të zbulimit shqiptar në vendet e huaja, të cilët më vonë janë arrestuar apo eliminuar, siç ka ndodhur në Greqi apo ish-Jugosllavi.

Tranzicioni shqiptar solli në pushtet një klasë politike që nuk i duhej besuar as administrimi i një kafeneje. Dhe si e tillë ajo u soll. Nën parullën e luftës kundër komunizmit, u shkatërruan jo vetëm fabrikat, uzinat, hekurudhat, sistemet e vaditjes dhe taracëzimi i vendit por edhe administrata dhe koncepti i shtetit. Dhe një ndër këto ishte edhe shërbimi sekret. Për të bërë çorap shtetin, puritanët e rinj morën si shembull atë gjerman, duke anashkaluar faktin se Gjermania Lindore ishte një avanpost sovjetik kundër perëndimit dhe qilizma që gjermano-perëndimorët bënë në pjesën lindore, më shumë sesa me luftë komunizmit, kishte lidhje me dënimin dhe demaskimin e tradhtarëve të atdheut që kishin punuar për rusët.

Një spastrim i tillë ndodhi edhe në vendet të cilat perdja e hekurt i kishte lënë brenda influencës sovjetike por që në thelb ishin anti-rusë.

Kurse Shqipëria ishte një rast që i duhej të luftonte për mbijetesë, e rrethuar nga fqinjë që vazhdimisht kanë pretendime territoriale ndaj saj. Me siguri operativët e zbulimeve serbe dhe greke qeshin me përmasat që ka marrë tek ne shpërbërja e një shërbimi sekret dhe mendjelehtësia me të cilën marrim lojën e agjenturave në territorin tonë apo trajtimin e dosjeve si brekë të grisura. Dhe kanë të drejtë. Jo më kot thonë që arritja më e madhe e djallit ishte që të bënte njerëzit të besonin se ai nuk ekzistonte.

Në rastin më të mirë ne u treguam të papërgjegjshëm në çdo drejtim. Kurse në realitet ata që e degraduan dhe shthurën shtetin në këtë farë feje, i bënë shërbimin më të madh kundërshtarëve tanë.

Sa i përket hapjes së dosjeve, sot kemi të bëjmë me një spekulim të pastër politik. Hapja e tërësishme që kërkon Alibeaj, në stilin ku çdokush që nuk shty dot netët e dimrit, të shkojë në arkiva dhe të shikojë dosjet e sigurimit, është një mungesë totale e konceptit për shtetin. Asnjë shtet nuk jeton dot pa bashkëpunëtorë të inteligjencës apo policisë. E kush do të pranojë bashkëpunimin pas kësaj?

Argumenti se sigurimi i shërbente diktaturës është sipërfaqësor. Bota në historinë e saj njeh shumë pak vende demokratike dhe për periudha të shkurtra. Gjithashtu shteti nuk ka lidhje me sistemin, pasi shteti mbetet, në të kundërt do të kishim një katrahurë botërore. Dhe meqë jemi në rajonin tonë, as në Serbi dhe as në Greqi pas rënies së juntës së kolonelëve, nuk i ka hapur njeri dosjet dhe t’i bëjë objekt dëfrimi.

Gjithsesi, meqë është bërë sport kombëtar kërkesa për hapjen e dosjeve, le të ketë një filtër për zyrtarët e lartë. Të tjerët që janë rekrutuar nëpërmjet shtrëngimit, motiveve të dobëta, pagesës apo patriotizmit, nuk kanë pse ju nxirren dosjet në shesh të mejdanit. Kjo do të sillte një rrëmujë sociale që vështirë se shoqëria jonë do ta përballojë pa trauma. Kush ka merak që për nevojë të politikës së ditës të hapë dosjet si qepët në pazarin e Roskovecit, le të ndërrojë zanat pasi nga politika dhe shteti nuk merr vesh.