Indeksi i Sundimit të Ligjit për vitin 2022, publikuar nga Organizata World Justice Project, për 140 vende të botës, tregon një përmirësim të situatës në Shqipëri sa i takon respektit për të drejtat themelore të qytetarëve nga autoritetet shtetërore.

Treguesi i katërt i indeksit për të drejtat themelore tregon se sa i respekton shteti të drejtat sipas ligjeve kombëtare dhe konventave ndërkombëtare, ku Shqipëria është përmirësuar me 3 vende, pasi renditemi në vendin e 63 nga vendi i 66 që ishim në 2021.

Një nga nënfaktorët e këtij treguesi ku Shqipëria shënon përmirësim është “Garantimi Efektiv i Lirisë së Shprehjes dhe Mendimit”.

Për lirinë e shprehjes, Shqipëria merr në indeksin e këtij viti 0.51 pikë, një rezultat i kënaqshëm pasi mesatarja rajonale e pikëve për këtë nënfaktor është 0.46 pikë, ndërsa mesatarja globale, 0.56 pikë. Shqipëria pra qëndron midis mesatares rajonale dhe asaj globale.