Shqipëria për herë të parë pret liderët e Bashkimit Europian dhe Ballkanit me datën 6 dhjetor për Samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Kësaj ngjarjeje të rëndësishme do t’i paraprijë në javën e parë të nëntorit Samiti i Procesit të Berlinit. Më pas, më 6 dhjetor, pritet të zhvillohet edhe një samit i veçantë i liderëve të BE-së dhe vendeve të rajonit të BP. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, konfirmoi dje se Samiti do të zhvillohet më 6 dhjetor, por në Tiranë e jo në Bruksel apo Pragë.

“Ne do të zhvillojmë Samitin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor në rajon. Më 6 dhjetor në Tiranë, në Shqipëri, për të rikonfirmuar angazhimin tonë të përforcuar”, shprehet në rrjetet sociale Michel. Ai shprehet se Ballkani Perëndimor është prioritet kyç për Bashkimin Evropian” dhe se BE-ja dhe se këto vende “kanë nevojë për njëra-tjetrën”.

Samiti i fundit i Ballkanit Perëndimor ishte zhvilluar në Bruksel në fund të qershorit të këtij viti kur kryesimin e radhës me BE-në e kishte Franca. Takimi kishte kaluar në një atmosferë jo edhe aq pozitive, sepse ishin dëgjuar shumë kritika drejtuar BE-së për dështime ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në atë kohë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ishin të bllokuara në procesin e integrimit dhe nuk mund të nisnin negociatat e anëtarësimit. Nuk kishte lëvizje as në procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën.

REAGIMI

Zhvillimin në Tiranë të Samitit mes liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, Kryeministri Rama e quan një ditë historike. Kreu i qeverisë shkruan në rrjetet sociale, se për kryeqytetin është ngjarja më e madhe ndërkombëtare. Sipas tij, për vitin 2022, Samiti i BE-së është “qershia mbi tortë” pas finales së UEFA Conference League, shkruan Rama.

“BE-ja në Tiranë. Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, ka bërë publik vendimin e mirëseardhur për organizimin më 6 dhjetor, në Tiranë, të Samitit BEBallkani Perëndimor. Nuk besoj se mund ta imagjinonte kush deri disa vite më parë, që tërë liderët e BE-së do të zbrisnin në Tiranë, për një punë që gjithnjë është bërë në Bruksel. Por sot Tirana nuk është më ajo e deri disa viteve më parë, po është kryeqyteti i një vendi të respektuar në politikën ndërkombëtare, si edhe një qytet i ri europian tërheqës për zhvillimin e tij mbresëlënës.

Për historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë kjo është një ngjarje absolutisht historike. Për Tiranën kjo është ngjarja më e madhe ndërkombëtare e historisë së saj. Për vitin 2022 që po shkon drejt përfundimit, kjo ngjarje është qershia mbi tortë pas kulmit të bukur të Finales së UEFA Conference League në shtëpinë e kuqezinjve. Ndërsa për mua dhe qeverinë shqiptare, organizimi në Tiranë i një samiti të liderëve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor është fruti më i bukur, i përpjekjes për afirmimin e Shqipërisë, si një zë i respektuar dhe anëtar dinjitoz i bashkësisë ndërkombëtare”, shkruan Rama. Ky Samit vjen në një moment kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur negociatat.