Nga Artur Ajazi

Sali Berisha ka menduar të “përzgjedhë kandidatë autoktonë” për të fituar bashkinë më të madhe të vendit.Këlliçi dhe Bogdani, të ekzaltuar shpalosën disa ditë më parë dëshirën e tyre për tu bërë kryetarë të bashkisë së Tiranë. Ata u shprehën se “Tirana ka nevojë të menjëhershme për ndryshimin e madh, dhe ne jemi ndryshimi”. Ashtu si në Partinë Demokratike, (ku Sali Berisha tha se, unë jam ndryshimi dhe jo Luli) edhe ata mendojnë se do të mundin Erion Veliajn, me pompozitete, shprehje të dala boje, dhe premtimin se “ne çunat e Tironës, që jemi denbabadem tironas, duhet të qeverisim kryeqytetin”.

Kjo mendësi duhej ti kishte ndezur atyre dëshirën më mirë për të garuar për kryetar të Partisë Demokratike, dhe jo për tu matur me punët dhe projektet gjigande që ka bërë dhe vazhdon të bëjë Lali Eri në Tiranë. Fitorja e tyre ? Eshtë sikur të mendosh se Sali Berisha do të bëhet edhe njëherë kryeministër apo President. Kandidatët e “pavarur” të Berishës, dukeshin më tepër rraketikë, të trembur dhe të pavendosur, se sa vetvetja, kurajozë dhe të vendosur. Partia e Doktorit, është kthyer në zyrë Këshilli Popullor i Lagjes, ku dërgohen ankesa, sms digjitale nga “populli”, ku firmosen dhe hartohen aleanca, nga ku dalin papritur kandidatët sfidues për Erion Veliajn dhe më vonë edhe bashkitë e tjera, dhe ku grumbullohen dosje “korrupsioni”.

Berisha ka vendosur të “djegë” jo vetëm Këlliçin dhe Bogdanin (dy kandidatët rraketikë që do të rivalizojnë Lali Erin në Tiranë) por edhe 60 emra të tjerë që do ti nxjerrë si guralecë para kamerave dhe do tu hartojë përmes zëdhënëses Garo edhe fjalimin e rradhës. Bashkë me ikjen e tij shumë shpejt nga skena politike, Berisha ka vendosur të marrë me vehte edhe “të rrezikshmit” e asaj partie. Ai (si dikur Enveri) kërkon ta lërë partinë “në duar të sigurta”, që nesër të mos ketë braktisje nga të vetët. Sali Berisha është i vetmi që e ka kuptuar qartazi se, koha e tij ka mbaruar, se bashkitë dhe pushtetin politik nuk mund ta fitojë kurrë duke qenë ai në krye të Partisë Demokratike. Ai i ka bërë mirë hesapet, dhe kjo duket qysh në zvarritjet që ai i ka bërë nisjes së aksioneve opozitare. Stina “koncertore” e protestave nga Qershori u shvendos në Shtator, pastaj në Tetor, dhe së fundi në 12 Nëntor. Jam i sigurtë se, dëshira më e madhe e tij, do të ishte një protestë në 8 Nëntor, datë që i kujton Partinë e Punës, Enver Hoxhën, sistemin që e bëri mjek, komunist, sekretar partie, derisa e futi në politikën aktive duke e bërë edhe kryetar i PD pas “përmbysjes së sistemit”.

Por si mund të mendosh o Doktor, se duke zgjedhur “dy tironas autoktonë” mund të fitosh në Tiranë përballë njeriut të punës, njeriut të investimeve dhe premtimeve të mbajtura Erion Veliaj ? A ka njeri në dynja, që të besojë se, “autoktoni” Këlliçi apo Bogdani, do të mund të fitojnë përballë Uraganit Veliaj ? Duhet të jesh i paditur ose djallëzor të besosh Doktorin sidomos në këtë situatë ku ai ndodhet. Kaq mjafton, të thuash se ajo parti kurrë nuk rithemelohet, kurrë nuk demokratizohet, dhe kurrë nuk ndryshon kryetar pa patur mbiemrin Berisha.