Pas firmosjes së marrëveshjes të bashkëpunimit për zgjedhjet lokale të 2023, Berisha dhe Meta kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediet. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Ilir Meta deklaroi se të gjitha vendimet e marra nga ish-LSI kanë qenë në interes të integrimit të vendit.

Pyetje: Berisha ju kujtoi se sa herë keni bërë marrëveshje me të keni qenë fitues. A jeni penduar që e prishët marrëveshjen me PD-në në 2013.

Meta: Ish-LSI përfshirë dhe Ilir Meta nuk kanë prishur asnjë marrëveshje. Marrëveshja ishte 4-vjeçare dhe kur i erdhi fundi u deklarua një marrëveshje që kishte mbyllur rolin e saj. Nuk ka asnjë pendesë. Për sa i përket vendimeve të ish-LSI, ju siguroj se të gjitha kanë qenë në interes të integrimit të vendit tonë. Edhe në 2013 në marrëveshjen që kam bërë në atë kohë si kryetar i LSI me Edi Ramën ka qenë për ta detyruar të firmoste 3 ligjet që mbanin peng integrimin e vendit.

Këlliçi ka deklaruar sot për ABC se është i gatshëm të kandidojë përballë Erion Veliajt për të marrë drejtimin e Tiranës. A është kandidatura konsensuale mes PD dhe PL-së?

Meta: Për ne si PL nuk ka rëndësi asnjë emër, për asnjë lloj funksioni. Për ne ka rëndësi që procesi të jetë i mirëorganizuar dhe konstruktiv. Do të respektojmë çdo zgjedhje të primareve pas për ne ka rëndësi fitorja. Ky proces i hapur do të përzgjedhë kandidatët më të mirë.

Berisha: Kandidati për qytetar të parë të Tiranës do të dalë nga primaret. Ne ramë dakord se ky koalicion mbështet plotësisht primaret. Unë përgëzoj të gjithë ata të cilët vendosin të provohen në një garë të pashembullt ndonjëherë në historinë e këtij vendi që synon t’i japë fund kryetarokracisë, synon të përmbysë praktikat e vjetra të zgjedhjes së përfaqësuesve. Këlliçi ka shprehur dëshirën dhe unë e përgëzoj, sikundër përgëzoj secilin personalitet të partisë ose të shoqërisë civile që vendos të provohet në garë për qytetar të parë të Tiranës.