Klopp krahason vështirësitë që po kalon Liverpooli me Messin dhe Ronaldon
Jurgen Klopp e ka krahasuar fillimin e dobët të Liverpoolit këtë sezon me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon. “Të Kuqtë” barazuan 3:3 me Brightonin në ndeshjen e fundit në Premierligë, teksa mbrojtja e skuadrës nga Merseyside po vazhdon të kritikohet – transmeton Gazeta Express. Liverpooli është në vendin e nëntë në tabelë me 10 pikë nga shtatë ndeshjet e para – 11 pikë pas liderit të ligës Arsenal, me të cilin do të përballet në fundjavë. Para përballjes me “Topçinjtë”, Liverpooli do të përballet me Rangers, të martën, në ndeshjen e tyre të tretë në Ligën e Kampionëve. Dhe, Klopp iu drejtua mediave të hënën pasdite përpara kësaj ndeshje. Kur u pyet për mungesën aktuale të besimit te skuadra tij, gjermani këmbënguli që të gjitha skuadrat dhe lojtarët kalojnë në këso momente, duke përfshirë edhe Messin e Ronaldon, të cilët së bashku kanë fituar 12 “Topa të Artë”.
“A mendoni se Cristiano Ronaldo në këtë moment është në majën e nivelit të tij të besimit? Dhe për shumë vite ai ishte lojtari më i mirë në botë dhe tani nuk po shkon ashtu siç duhet në drejtimin e tij”, u përgjigj Klopp. “Kjo na ndodh të gjithëve. Lionel Messi luajti sezonin e kaluar dhe ishte pothuajse njësoj. Këto gjëra na ndodhin të gjithëve. Ju duhet të bëni një hap në drejtimin e duhur dhe kur të jeni gati, ai të kthehet. Ne duhet të jemi sërish të durueshëm për të bërë gjënë e duhur dhe pastaj do të jemi sërish mirë. Duhet të jemi më solidë dhe kompakt patjetër”, shtoi Klopp.