Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës veprimet e një agjencie punësimi në Tiranë, e cila mban plot 5 vjet në pritje qytetarët për ti dërguar në Gjermani.
Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua një qytetar nga Fieri, i cili pagoi një shumë prej 1500 euro në “Europe Agency” në vitin 2017 për t’u punësuar në shtetin gjerman. Aplikimin e bëri në moshën 35-vjeçare, ndërkohë aktualisht është 40 vjeç edhe ende nuk ka shkuar me kontratë pune në Gjermani.
“I jam drejtuar ‘Fiks Fare’ se kam bërë një kërkesë në një agjenci që çon punëtorë në Gjermani. Quhet ‘Europe Agency’, i jam drejtuar në vitin 2017. Kam parë reklama dhe iu drejtova. Kjo agjenci i çonte njerëzit në Gjermani në bazë të kualifikimit të gjithsecilit. Unë e kisha si pllakashtrues, në ndërtim. Kam shkuar në fillim të 2017-ës, lidha një kontratë paraprake dhe bëra një pagesë 1500 euro. Kjo agjenci ishte rekrute e cila më lidhte mua dhe punëdhënësit në Gjermani. Pagesa ka qenë 4000 apo 5000 euro. 1500 euro i kam paguar. Ka qenë kësti i parë” tha qytetari.
Sipas tij, kontrata në 2017-ën ka pasur disa pika. “Nëse agjencia nuk zbatonte këto pika do të kthehej pagesa. Dhe do mbanin 200 euro si shërbime. Nga 2017 deri në 2019 s’mu krye asnjë shërbim. Shkoja sërish për t’u interesuar. Nga Fieri deri në Tiranë mund të shkoja dy herë në muaj. Pasi ata e panë që po shkoja shpesh, më detyruan të firmosja një kontratë të dytë. Atë dita vura re se në kontratë ishte shkruar se nëse nuk zbatohej nga agjencia, dilte e pavlefshme” vijon qytetari. Sipas tij, agjencia i ndërronte punonjësit dhe kontrata e re ishte se për 3 muaj do të mbaronte punë.
“5 vite unë s’kam gjetur zgjidhje. Vitin e fundit kanë gjetur justifikimin se ambasada s’ka punuar se ka qenë pandemia, por unë s’e shoh të nevojshme. Gjithë këto vite janë vetëm justifikime. Në momentin që aplikova kam qenë 35 vjeç dhe për 1 muaj tani unë mbush 41 vjeç. 5 vite diferencë që unë po pres. Kam kaq vite që punoj në pllaka dhe gjunjët më kanë lënë dhe unë s’ia kam më nevojën këtij zanati kësaj pune. Për moshën do gjej ndonjë punë të lehtë, pasi ky zanat ka gjunjët dhe dhimbjen e mezit” shton ai.
Ndërkohë, 1500 euro që ka paguar si kësti i parë, vijojnë të jenë të bllokuar në agjenci. “Pagesën s’e marr dot mbrapsht. As në Gjermani, as në punë, asgjë. Shpenzimet rriten dita-ditës. Unë me ato shpenzime po arrij ti kap prapë ato shpenzime” përfundon qytetari.
Pas ankesës, qytetari bashkë me gazetarët e “Fiks Fare”, shkon në ambientet e agjencisë, në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë. Bisedojnë me një punonjëse, e cila u thotë se dërgimi në atë shtet “është si bingo”. “Nuk varet nga ne, varet nga ambasada. Ambasada tall b…n me ne. Për lekët do flasësh me pronarin, bjeri letrat ti çojmë te zyra jonë juridike” i thotë punonjësja. Ndërkohë, qytetari i thotë se ka 5 vjet dhe s’ka më fuqi, ndërsa punonjësja i përgjigjet se “sërish nuk varet nga ne, ne e kemi bërë punën tonë, kontratën ua kemi siguruar”.
Ndërkohë, gjatë këtij takimi, denoncuesi i thotë punonjësve të kësaj agjencie se, përveçse nuk e kanë dërguar në Gjermani dhe i kanë marrë shumën e eurove, ka bërë punime në ambientet e agjencisë. “Unë kam shtruar pllaka te zyrat tuaja. Një tjetër suvanë. Një tjetër ia leu dhe një person i bëri elektrifikimet” i thotë, ndërsa punonjësit i përgjigjen se “u kemi marrë në provë”.
Pas disa ditësh, qytetari shkon sërish në këtë agjenci, ku kësaj herë takon një person me emrin Mondi, i cili hiqet edhe si pronar. Mondi bën pazar me 1500 euroshin e qytetarit. Në fillim i thotë do të jap 750 euro dhe më pas shumën ia çojnë 1000 euro. “1000 euro të takojnë sipas kontratës. 500 euro i kemi pasur ne si shërbime” i thotë Mondi dhe një punonjëse. Ndërkohë, qytetari nuk pranon, pasi kërkon 1300 euro, ku shërbimet e kësaj agjencie kanë qenë vetëm 200 euro. Por, në fund, ata i thonë se do të bisedojnë edhe për këtë shumë dhe do t’i kthejnë përgjigje shumë shpejt. Por, megjithëse kanë kaluar disa javë nga kjo bisedë, ende nuk ia kanë kthyer shumën!
Qytetari dhe gazetarët e Fiks Fare shkojnë në “Europe Agency”
Denoncuesi – Unë quhem E… dhe vij nga Fieri. Kam bërë një kontratë me Europ Agency para disa vitesh, në vitin 2017 për herë të parë. Nuk kam marrë asnjë shërbim fare. Kam ardhur disa herë dhe dua një sqarim edhe jam lodhur duke pritur. Doja të flisja me ndonjë drejtues
Punonjësja 1 – Në kohën që ju keni bërë marrëveshjen ka qenë 1 vit, normalisht 12 muaj,por për shkak të një mbikarkese zgjaste dhe më tepër. Përzgjedhja bëhet në mënyrë rastësore nga vetë ambasada, pra si telebingo.
Denoncuesi – Kaq vite të pres për këtë punë? Kam aplikuar ur kam qenë 35 vjeç, tani jam 40 vjeç.
Punonjësja 1 – Aplikimi në ambasadë nga ky moment është bërë.
Fiksi – Aplikimi është bërë në 2019, kanë kaluar 3 vjet dhe për 3 vjet nuk është lënë asnjë takim?
Punonjësja 1 – Se kush e fiton këtë takim, kujt i japin të drejtën për këtë takim e vendos vetëm ambasada.
Fiksi – Po mirë, ju si agjenci çfarë garancie keni dhënë, që ti për kaq kohë do ikësh atje? Juve thoni që brenda vitit për 12 muaj ne kemi të mbyllur. Dhe sipas eksperiencës tuaj për 3 muaj kanë ikur njerëzit. Kanë kaluar 5 vjet. Kur do iki? Se lekët janë paguar këtu dhe kanë kaluar 5 vjet dhe nuk është bërë asgjë.
Denoncuesi – Me llogarinë time 60 muaj, asnjë lloj shërbimi.
Fiksi – Më jep pak në kontratë ku e keni të shkruar, për sa kohë ju i plotësoni kushtet.
Punonjësja 1 – Nuk ka afat.
Fiksi – Po ky është mashtrim atëherë. Ky është mashtrim.
Punonjësja 1 – Sepse ambasadën nuk e kemi ne, ne nuk na njeh njeri.
Fiksi – Tani, kush është drejtuesi juaj ta takojmë pak ne dhe të na japë lekët mbrapsht. Nuk do presim kur të dali në pension 60 vjeç, që të marri vizën gjermane.
Denoncuesi – Edhe biles, pronari i agjencisë tha që të garantoj punëdhënësin në gjermani unë duhet të shikoj vetë. Edhe këtë sallonin këtu unë e kam shtruar pa lekë, për të vërtetuar që unë jam pllakashtrues. Kjo ka qenë pa shtruar, ka pasur probleme me dyshemenë. Unë kam ardhur, dhe jo vetëm unë, por kanë ardhur edhe shumë djem të tjerë këtu. Elektricistja, hidraulik, pllakaxhinj. Ai na ka mashtruar, ai na ka përdorur.
Fiksi – Kush është pronari? Të lutem.
Punonjësja 1 – Për momentin nuk është këtu.
Denoncuesi – Po si, unë tani do marrë një zgjidhje? Në 2017 ka një pikë këtu, që thotë nëqoftë se një nga pikat e kontratës agjencia nuk i plotëson, të kthehen lekët. Aplikoj 35 vjeç, tani jam 40 vjeç.
Punonjësja 2 – Mirëmëngjes. I do ti rikthej nga xhepi unë lekët ty tani?
Fiksi – Thirr pronarin dhe të vij të na i japi.
Punonjësja 2 – Po nuk janë gjërat kështu si do ti tani. Juve kush jeni?
Fiksi – Ka 5 vjet. Unë jam kushërira e tij.
Punonjësja 2 – Jashtë. Sepse vetëm …
Fiksi – Jo jashtë nuk më nxjerr dot mua.
Punonjësja 2 – Tani unë erdha si njeri t’ju sqaroj, në qoftë se do të ngremë zërin e ngremë zërin. Unë tani po të them, nuk e di procesin tënd nga 2017, më duhet të lexoj dosjen. Dhe nga 2017 nuk ka ekzistuar gjermania. Nuk e di për çfarë ke qenë ti më përpara.
Denoncuesi – Për gjermani kam qenë.
Punonjësja 2 – Në qoftë se do të nënshkruash një kërkesë tërheqje, nëqoftë se do pagesën, unë ja kaloj zyrës ligjore lirisht. Sepse unë nuk kam kompetenca më shumë.
Denoncuesi – Dua të bëj një takim dhe dua lekët mbrapsht. Jam lodhur. Edhe sikur sot të më dërgoni ju në gjermani, unë nuk kam më besim tek ju.
Punonjësja 2 – Tani ambasada, mos ta them kështu troç fare. Po tall bythën me ne shqipëtarët.
Denoncuesi – Unë dua një takim me… Një njeri të përgjegjshëm
Punonjësja 2 – Ditën e sotshme …do të marrim në telefon dhe do të të lejmë një takim.
Pas disa ditësh, denoncuesi shkon sërish…
Punonjës – Ky është Mondi .
Punonjës – Për sa i përket përfaqësuesit të agjencisë mund të drejtohesh për çfarëdo lloj pakënaqësish që mund të kesh.
Denoncuesi – Po pakënaqësia është koha.
Punonjës – Ti nuk i ke parë letrat muajin e fundit kush është bërë pronar. Tani ti ke ardhur të blesh agjencinë apo,….
Denoncuesi – Ti mos thuaj, që je pronari se ti nuk je pronari.
Denoncuesi – Ti e di kush jam unë.
Punonjësi – Jo pra unë nuk e di se nuk jam pronari. Ose kur nuk më pranon si pronar ….
Denoncuesi – E kemi nisur keq këtë bisedë. Unë kam kaq kohë që vij këtu dhe jam lodhur. Mua më duhet të më kthehet detyrimi i parave që kam lënë.
Punonjësja –Nuk po dëshiron fare të dëgjosh sesi janë gjërat.
Denoncuesi – Jo nuk dëgjoj më unë. Më thuaj çfarë propozon ti, të them edhe unë propozimet e mia dhe të mbarojmë punë, mos të lodhemi më.
Punonjësja – Në bazë të një marrëveshjeje, ne kemi që në 2017 që merremi me ty. Dhe unë, dhe kolegia poshtë të ka treguar që merremi çdo muaj duke aplikuar për ty.
Denoncuesi – Kjo është puna juaj. Unë j’u pagova për këtë punë.
Punonjësja – Këtë po them. Në bazë të kontratës, unë të kthej gjysmat e pagesës. Ke paguar 1500 ( euro ), merr 750 ( euro ).
Denoncuesi – Jo nuk pranoj. Ju maksimumi duhet të më mbani mua 200 ( euro ). Kaq.
Punonjësi – Dale një sekond të pyes pak.
Denoncuesi – Kaq2, ju nuk më keni bërë asgjë mua.
Punonjësja – Ke 2 kontrata ndërkohë që kemi që nga 2019 , që kanë ndryshuar ligjet dhe jemi në 2022 dhe ne çdo muaj aplikojmë për ty.
Denoncuesi – Po ti e ke për detyrë për ta bërë. Të lutem, 5 vjet kam pritur unë për ju.
Punonjësi – Pse këto 5 vite ke ndenjur pa punë ti? Ti do të ikësh vëlla apo do ta mbyllësh këtu?
Denoncuesi – Ore nuk merrem më me ju, nuk kam besim. E kupton? Jam totalisht i zhgënjyer nga ju. Nuk kam më besim te ju, ka 5 vjet o vëlla.
Punonjësi – Të flasim me qetësi o vëlla.
Punonjësja – Ti ke firmosur këtë marrëveshjen e ndërmjetësimit.
Punonjësja – Ti ke paguar 1500 euro
Punonjësja – Sipas kësaj, 1000 (euro) të kthehet, 500 (euro) nuk të kthehen.
Punonjësi – Bravo, bëj një kërkesë për kthim page. Edhe….
Denoncuesi – Nuk jam dakort unë për 1000 euro të më kthehen mbrapsht.
Punonjësja – Shko te ambasada gjermane dhe zgjidhe atëherë.
Denoncuesi – Me kthe mua 1300 euro, largohem unë që këtu.
Punonjësi – Do bësh një kërkesë sipas ligjit që të kthehen gjërat mbrapsht?
Denoncuesi – Po . Po mi dhatë ato leke, ju i keni në dorë m’i jepni.
Punonjësi – Përse bëhet fjalë, që thotë mbani 200 ( euro ) ?
Punonjësja – Jo, 1000 euro i takojnë.
Denoncuesi – Jo duhet të më jepni 1300 euro.
Punonjësi – Për sa bëhet fjalë? Për 300 euro?
Punonjësi – Do të bëj kërkesë goca për tërheqje. Në bazë të afatit që përcaktohet këtu, do mundohemi t’i japim më shpejt me të bërë nder. Ndërsa për pjesën e 300 euroshit vëlla deri nesër do të kthej përgjigje unë personalisht./ TCH