Edvin Kulluri ka deklaruar se gjendja në selinë blu është edhe më e keqe nga ç’ishte pas 25 prillit.
Duke folur në MCN TV, Kulluri u shpreh që s’do ketë bashkim mes palëve në PD pasi është e pamundur, teksa shtoi se shanset për të fituar zgjedhjet lokale janë zero.
“Tashmë është një opozitë edhe e përçarë, jemi më keq se ç’ishim pas 25 prillit. Fatkeqësisht thirrjeve të vazhdueshme të miave, PD s’iu përgjigj kurrë. Si mori kurrë në konsideratë pikëpamjet për një PD demokratike dhe një projekt të qartë, të djathtë politik.
Është e papranueshme që të vetmet gara që bën PD i ka gara mes vetes. Nga 2013 e sot, kemi Bashën që mund Olldashin, por jo Ramën! Bashën që mund më thellë Selamin, pasi e kishte mundur Rama shumë më thellë! Basha që mund Harxhin, Shehajn dhe Kadillin!
Tani kemi Berishën që mund Bashën, por humbet përballë Ramës në 6 mars! Kjo opozitë, me këtë lloj sjellje politike dhe të funksionuari, PD, përveç shansit matematik, shanset për të fituar zgjedhjet lokale janë pothuajse zero. Janë përkeqësuar sjellja dhe çdo gjë.
Kur ti ngre një pritshmëri pas një krize shumë të rëndë dhe e tradhton në mënyrën më të papërgjegjshme të mundshme, kjo tregon që gjërat do shkojnë keq. Konservatorët anglezë duhet të jenë model edhe për ne. Për shkak të nevojës që ka PD për konservatorizëm. Por jo këtij konservatorizmi fake. Berisha s’ka lidhje me konservatorizmin”.