Pas pushimit për ekipet kombëtare, Seria A fillon sërish, ku Juventusi do të luajë nesër në mbrëmje kundër Bologna së Thiago Motta. Allegri foli në një konferencë për shtyp, teksa bëri thirrje që në këtë “stacion” të prishet “agjërimi” i fitoreve, çka për bardhezinjtë zgjat prej një muaji të tërë:
“Nga nesër mendoj se do të fillojë një sezon i ri. Të mos harrojmë se muaji i parë ishte vërtet i keq. Ne filluam mirë, pastaj pasi hoqëm dorë, duke luajtur ndeshje të këqija. Të dhënat konfirmojnë situatën jo të mirë: ne u mundëm në 3 ndeshje dhe barazuam 4 të tjera. Duhet të jemi të vetëdijshëm për momentin, të kthehemi te fitorja. Lojtarët u kthyen mirë nga kombëtaret, Italia fitoi dy ndeshje. Bonucci dhe Gatti janë rikthyer të rifreskuar, edhe Vlahovic e Kostic”.
Trajneri i Juventusit tregoi edhe mënyrën se si u përjetua pushimi nga ata që qëndruan në Torino, si dhe njoftoi disa rikthime të rëndësishme të ardhshme: “Ka pasur krahasime mes nesh, duke parë se cilat mund të kenë qenë vështirësitë dhe problemet. Kur ke kësi periudhash, të gjithë i qëmtojnë me detaje problemet. Tani duhet të gjejmë zgjidhjen, të fitojmë në fushë.
Nuk mjaftoi kjo që u bë, duhet të kemi një menaxhim ndryshe të të papriturave. Nervozizmi i tepërt me Salernitanën u kthye në humbje energjie atë jave. Nesër do të rikthehen Alex Sandro, Rabiot, Locatelli. Rikthehet Cuadrado pas skualifikimit, Milik mbetet i njëjti. Vetëm Di Maria mbetet në ‘infermieri’, pastaj Pogba dhe Chiesa. Kemi një numër më të madh lojtarësh për t’i menaxhuar më mirë ndeshjet”.
Disa fjalë edhe për Bonucci: “Ai është 35 vjeç, nuk mund të luajë gjatë gjithë kohës. Duhet të përfitojmë nga eksperienca e tij”. Allegri shpjegon se me kapitenin nuk ka probleme në marrëdhënie: “Bonucci kishte vetëm tri ndeshje në këmbë, ishte i lodhur, kështu që në Monza zgjodha ta lë jashtë.
Ne duhet ta menaxhojmë pasi, edhe nëse është kapiten, i ka 35 vite mbi supe. Njësoj me Danilo, Cuadrado. Tani luajmë çdo 3 ditë, janë dy javë të rëndësishme. Le të gjykojmë hap pas hapi, të mendojmë për ndeshjen e nesërme kundër Bologna.
Shtytja nuk do të vijë vetëm nga sulmuesit, por nga të gjithë. Me mungesën e Di Maria, është e qartë se me dy sulmuesit që mund të bashkëjetojnë, ne përpiqemi t’i shfrytëzojmë ata. Është e komplikuar me shumë ndeshje të kesh një 11 fikse, duhet të ndryshosh, por nuk është problem. E rëndësishme është të kesh qëndrim pozitiv”.
Pavarësisht paraqitjeve të dobëta, Juventusi ka edhe disa rrethana lehtësuese, si lëndimet e dy shtyllave të skuadrës, Pogba dhe Chiesa. Megjithatë, për momentin as Allegri nuk e di se kur do të kthehen në fushë këta dy lojtarë: “A e di se kur do të kthehen? Jo për momentin.
E vetmja gjë që mund t’ju them është se javën e ardhshme Chiesa do të fillojë një punë më të mirë me topin dhe do të jetë më shumë me ekipin. Gjëja themelore është që rikuperimi të shkojë në mënyrën më të mirë”.