Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur keqardhje për të dhënat rreth krimeve të dhunës seksuale të raportuara në Ukrainë. Në takim me përfaqësuesit e Rrjetit global të viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës SEMA, kryeministri tha se Rusia po përdor dhunën seksuale si pjesë të strategjisë së saj ushtarake në Ukrainë. “Kjo na kujton luftën tonë të viteve 1998-1999 në Kosovë, dhe siç ndodhi këtu, dhe në të gjitha luftërat e tjera, numri i të mbijetuarve ka gjasa të jetë shumë më i lartë se sa sugjerojnë shifrat zyrtare, sepse krimet seksuale shpesh nuk raportohen, për shkak të stigmës që i rrethon”.

“Përfaqësuesit e rrjetit SEMA, znj.Iryna Dovgan dhe z.Volodymyr Shcherbachenko nga Ukraina, si dhe znj.Pilar Rueda dhe znj. Angela Maria Escobar nga Kolumbia, shprehën mirënjohjen e tyre për mbështetjen dhe mundësinë për të shkëmbyer përvojat lidhur me dokumentimin dhe drejtësinë për krimet e dhunës seksuale gjatë luftës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit. Gjithashtu, ai theksoi se Qeveria e Kosovës është duke punuar ngushtë me institucionet si dhe organizatat e shoqërisë civile në procese të drejtësisë tranzicionale gjithëpërfshirëse, të përqendruara te viktimat dhe me ndjeshmëri gjinore, që plotësojnë nevojat dhe kërkesat e të mbijetuarve të dhunës seksuale. Ndërsa përmendi edhe punën e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, që u mundëson të mbijetuarve të aplikojnë për njohjen e statusit, e që garanton trajtim të sigurt të informacionit dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.

“Po ashtu, theksoi se për lehtësim të qasjes në drejtësi, Qeveria ka rritur buxhetin për 4 prokurorë, 6 profesionistë dhe 2 përkthyes shtesë për krimet e luftës”.
Gjatë takimit të përbashkët me zëvendësministren e Drejtësisë, Nita Shala dhe përfaqësueset e organizatave joqeveritare, u theksua puna e përbashkët për të mbështetur të mbijetuarit, të drejtat dhe dinjitetin e tyre. Duke veçuar kontributin e Vasfije Krasniqi, u theksua domosdoshmëria e angazhimit të mëtejmë të përbashkët për të luftuar stigmën që rrethon dhunën seksuale gjatë luftës.