Ilir Meta ishte të shtunën në një takim me strukturat e partisë në Kuçovë. Në fjalën që mbajti ish deputeti Lefter Maliqi, tha se në kohën kur Meta u votua për President, Rama ka dhënë urdhër që simpatizantët e LSI të joshen dhe të mbahen në punë në administratë. Ndërkohë Maliqi iu drejtua Metës se nuk i shkonte “kostumi i Presidentit”, por ai duhet të ishte kryeministër.

“Zoti Meta. Ju nuk jeni lider i sallave të mbyllura, jeni lider i shesheve. Nëse në takimin e dytë nuk do mbushen sheshet ju them me bindje që mbaj përgjegjësi. Do mbushen e do bucasin sheshet e do ia rrëmbejme pushtetin lokal që e kanë të paaftët, abuzuesit që tallen me taksat e qytetarëve të Kucovës.

Ky Rama i intrigave, djallëzisë, ca ka bërë me LSI, se ju ikët president, por nuk ju takonte ai kostum presidenti. Ju duhet të ishit kryeminister në vend të tij. Ky i pabesë i dha urdhër administratës që njerëzit e LSI të joshen shantazhohen e mbahen në punë.

Kemi bërë verifikim paraprak nga 1300 anëtarë 774 janë në administratën e shtetit në bashki, në hipotekë, në arsim në shëndetësi e na thonë jemi me ju edhe brenda bashkisë por në momentin e punësimit nuk angazhohemi dot. Ne anëtarësuam 311 të rinj e në takimin tjetër do mbushen sheshet”, tha ai.