Më 6 Dhjetor do të mbahet në Tiranë samiti BE-Ballkani Perëndimor. Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas bërjes publik të vendimit nga ana e presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel.

Rama shkruan se deri disa vite më parë askush nuk mund ta imagjinonte se liderat e BE-së do të zbrisnin në Tiranë për një samit që deri më sot është bërë gjithnjë në Bruksel.

“Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, ka bërë publik vendimin e mirëseardhur për organizimin më 6 dhjetor, në Tiranë, të Samitit BE-Ballkani Perëndimor. Nuk besoj se mund ta imagjinonte kush deri disa vite më parë, që tërë liderat e BE-së do të zbrisnin në Tiranë, për një punë që gjithnjë është bërë në Bruksel.

Por sot Tirana nuk është më ajo e deri disa viteve më parë, po është kryeqyteti i një vendi të respektuar në politikën ndërkombëtare, si edhe një qytet i ri europian tërheqës për zhvillimin e tij mbresëlënës. Për historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë kjo është një ngjarje absolutisht historike. Për Tiranën kjo është ngjarja më e madhe ndërkombëtare e historisë së saj. Për vitin 2022 që po shkon drejt përfundimit, kjo ngjarje është qershia mbi tortë pas kulmit të bukur të Finales së UEFA Conference League shtëpinë e kuqezinjve.

Ndërsa për mua dhe qeverinë shqiptare, organizimi në Tiranë i një samiti të liderëve të Bashkimit Europian&Ballkanit Perëndimor është fruti më i bukur, i përpjekjes për afirmimin e Shqipërisë, si një zë i respektuar dhe anëtar dinjitoz i bashkësisë ndërkombëtare”, shprehet Rama.