Parlamenti i Shqipërisë miratoi disa ndryshime në ligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit”, policisë sekrete famëkeqe gjatë regjimit komunist. Ndryshimet morën votën pro të 94 deputetëve të pranishëm, asnjë votë kundër dhe vetëm një abstenim.
Ligji i sapondryshuar parashikon hapjen e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit dhe deklasifikimin e të gjithë dokumentave nga 29 Nëntori 1944 deri në 2 korrik 1991. Ai parashikon gjithashtu riverifikimin e figurës edhe të atyre personave për të cilët dalin informacione të reja edhe kur ata kanë kaluar në sitën e komisioneve të mëparshme parlamentare, me synimin për largimin nga politika dhe postet publike të spiunëve të ish-Sigurimit.
Miratimi i ndryshimeve të mësipërme u mundësua nga bashkimi i votave pro të maxhorancës socialiste me ato të deputetëve të grupit parlamentar opozitar të Partisë Demokratike, të kryesuar nga Enkelejd Alibeaj.
Çuditërisht, ky ligj, që më në fund do të zbulojë gjithë spiunët e Sigurimit në politikën shqiptare, ka tërbuar mediat e Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Sipas tyre, ky ligj, që më në fund do të zbulojë gjithë spiunët, është një pazar i ndyrë Rama-Basha.
“Rrallë të ndodh të shohësh në politikë një skenë të tillë: djali i pinjollit të komunizmit, që ka firmosur varjen e poetit Havzi Nela, po jepte leksione dekomunistizimi.
Teksa Edi Rama fliste dhe manipulonte, sytë e Enkelejd Alibeajt dhe Lulzim Bashës shkëlqenin.
Nuk ishin aspak të interesuar që të debatonin me Ramën, qëllimi ishte që të bashkonin sërish votat me të, për të kaluar disa ndryshime në ligjin për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Loja e Edi Ramës me ‘kërpëratat’ e Lulzim Bashës u bë krejt e qartë mbrëmë vonë, kur Enkelejd Alibeaj shiti si propozim të vetin, nenet e Taulant Ballës për hapjen e dosjeve të ish-të përndjekurve politikë.
Edhe këtë herë, Alibeaj ishte ulur në prehrin e Taulant Ballës”, shkruan portali i familjes Berisha.
Tani se pse duhet të revoltohet Berisha nga hapja e dosjes së Sigurimit, vetëm ai mund ta shpjegojë.
Se jo për gjë, por thotë se është edhe antikomunist.
Për ata, kjo e enjte është një ditë e mirë, pasi më në fund do të njihen me ata që i kanë marrë më qafë./Tema