Nga salla e Kuvendit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u është përgjigjur akuzave të ditëve të fundit të bëra nga opozita, për ndryshimin e dietës ushqimore të fëmijëve në qendrën “Zber Hallulli”.
“E keni reduktuar qellimisht ne vetem dy fjali, raportin e KLSH-së”, i është drejtuar Manastirliu deputetëve të opozitës. “Dhe për fat të keq, recitoni por nuk dini as se per çfare flisni. Fëmijëve pa kujdes prindëror në “Zyber Hallulli” dhe në çdo qendër tjetër në Shqipëri, nuk u është reduktuar menuja, nuk u janë prekur as dieta kalorike dhe as cilësia e menusë ushqimore! Nuk ka ndodhur!”
Menuja ushqimore përcaktohet një grup multidisiplinor specialistësh dhe respektohet deri në një nga stafet e këtyre qendrave, ka shtuar ministrja, duke sqaruar se “furnizimi me ushqime për fëmijët e qendrës Zyber Hallulli bëhet mbi bazën e një kontrate, e cila ka përcaktuara që në krye të herës çmimet e ushqimeve dhe ky furnizim ka vazhduar normalisht sipas kritereve të procedurës së tenderit, duke respektuar rigorozisht dietën e përcaktuar nga ekipi shumëdisiplinor i specialistëve”.
Në fund, ministrja ka patur dhe një thirrje për deputetet e PD që në mënyrë të pakujdesshme, në deklaratat e tyre politike, i kanë quajtur këta fëmijë “jetimë”: “I keni trazuar dhe shqetësuar ata fëmijë dhe shqetesimet më kanë mbërritur nga edukatoret, që ndryshe nga ju, kujdesen dhe jetojnë përditë me ta. Janë fëmijë pa kujdes prindëror dhe jo jetim”, u shpreh Manastirliu.