Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka vizituar shkollat “Njazi Mastori” në Sukth dhe “Abedin Dino” në Durrës.

Ajo u shpreh se programi për shëndetin dentar, pas Tiranës, shtrihet me kabinete të reja Dentare edhe në Durrës, për të vijuar më pas shtrirjen edhe në qytete të tjera.

“Në Durrës kemi 3 unite të reja dentare të reja, të cilat janë investuar së fundmi, pjesë e programit tonë për kujdesin e shëndetit oral. Në Tiranë kemi instaluar 10 kabinete dentare, me fazën e parë të programit. Faza e dytë e programit janë 8-të unite dentare që po instalohen në tre qytete, në Durrës, Shkodër dhe Elbasan, të të njëjtit standard”, tha Manastirliu.

Manastirliu pa nga afër edhe zbatimin e programit të kujdesit për shikimin në këtë shkollë, program i cili është shtrirë në të gjithë vendin.

“Janë më shumë se 90 mijë fëmijë të cilët janë depistuar. Dhe gjithashtu prindërve të tyre u është relatuar edhe statusi i të gjithë vizitave që u janë bërë. Dhe kjo, duke siguruar që prindërit të informohen pikë së pari nëse fëmijët e tyre kanë probleme me shikimin por që edhe i është bërë ky kontroll, besoj shumë i rëndësishëm, sepse e para krijon një bazë besimi në shkollë përtej programeve të edukimit, duke përfshirë dhe programet e edukimit për shëndetin.

Ajo çfarë është vënë re dhe që është edhe një sinjal për nevojën që kemi pasur për ta pasur këtë program në të gjitha shkollat e vendit, është pikërisht edhe përqindja e rasteve të cilët më pas janë referuar tek mjeku specialist okulist, që është 25% e rasteve të detektuara që janë referuar pranë mjekut specialist për kontrolle të mëtejshme”, theksoi ajo.