Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka zhvilluar ditën e sotme një takim me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Në fokus të takimit kanë qenë bisedimet rreth disa çështjeve me rëndësi në fushën e drejtësisë, në një kohë që Kosova ka nisur hapat e parë të Reformës në Drejtësi dhe procesin e Vetingut. Kryeministri Kurti është interesuar për rrugëtimin e Shqipërisë përgjatë Reformës në Drejtësi dhe vetingut, ndërkohë që ministri Manja ka ofruar gjithë përvojën, burimet njerëzore dhe ekspertizën më të mirë në ndihmë të këtyre proceseve në Kosovë.

“Ishte kënaqësi dhe nder që ta mikpres Ministrin e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, ministrin Manja, me të cilin kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Ai është vazhdimisht në kominikim të vazhdueshëm dhe në bashkërendim me Ministren tonë të Drejtësisë znj. Haxhiu. Qëllimi i këtyre takimeve dhe bashkëpunimeve është që të lehtësohet edhe zbatimi i drejtësisë në Shqipëri dhe Kosovë duke bashkëpunuar, por edhe të harmonizojmë dhe sinkronizojmë sistemet duke nxjerrë edhe mësime nga proceset që kemi zhvilluar qoftë në Shqipëri dhe qoftë në Kosovë”, u shpreh pas takimit kryeministri Kurti.

Ndërkohë, nga ana e tij, ministri Manja ka theksuar bashkëpunimin në fushën e drejtësisë mes dy vendeve. “E falenderova kryeministrin Kurti për mikpritjen. Ishte një takim vëllazëror. Ishte një bashkëbisedim i hapur për të gjitha temat që lehtësojnë komunikimin dhe jetën e qytetarëve tanë në të dy vendet respektive dhe në fund u dakortësuam se Drejtësia dhe Sundimi i Ligjit janë themele të sigurta që garantojnë mirëqënien e qytetarëve tanë. Shqipëria sigurisht do të ofrojë ekspertizën më të mirë në ato fusha ku ne kemi bërë më progres, por sigurisht edhe do të marrim eksperiencën më të mirë që ka Kosova në disa fusha të tjera ku progresi i saj është i dukshëm, u shpreh Manja.