Tajlanda u trondit nga një masakër të enjten, ku të paktën 36 persona u vranë në një sulm me armë në një qendër parashkollore për fëmijë. Të paktën 24 prej viktimave janë fëmijë. Autori i masakrës është identifikuar si Panya Kamrab, një ish-polic 34-vjeçar, i cili pas kreu vrasjet i dha fund edhe jetës së tij.

Sipas policisë, ai u pezullua nga detyra në fillim të këtij viti pas akuzave për posedim droge. Në mesin e dhjetëra viktimave janë bashkëshortja e Panyas dhe djali i saj nga një marrëdhënie e mëparshme. Ish-polici u fut në ndërtesë duke vrarë fëmijë më të vegjël se 2-vjeç ndërsa ata flinin gjumë. Më shumë se 90 fëmijë shkojnë në qendër, por për shkak të motit të keq dhe një defekti në autobus, vetëm 24 prej tyre kishin shkuar të enjten. Vetëm 1 fëmijë ka shpëtuar nga masakra.

Ende nuk dihet motivi që çoi 34-vjeçarin të shkaktonte këtë tragjedi. Djali i bashkëshortes së tij ishte regjistruar në çerdhen që ai sulmoi të enjten, por nuk ishte i pranishëm kur u krye sulmi. “Panya shkoi të kërkonte djalin e tij dy vjeçar, por ai nuk ishte aty … kështu që Panya filloi të qëllonte, si dhe të godiste me thikë njerëzit në çerdhe”, tha për CNN zëdhënësi i policisë, gjeneralmajor Paisan Luesomboon.

Panya arriti të futej në një dhomë ku flinin 24 fëmijë së bashku, duke i vrarë të gjithë përveç njërit prej tyre. “Ai përdori gjithashtu një thikë për të goditur fëmijët dhe stafin në qendër”, tha Paisan. Një nga mësuesit e qendrës përshkroi një skenë të tmerrshme për mediat lokale, duke shpjeguar se sulmuesi hyri në qendër rreth mesditës, ndërsa dy anëtarë të tjerë të stafit po hanin drekë. “Papritmas dëgjova se krisma arme. Kështu që unë shikova prapa dhe pashë dy kolegët që u rrëzuan në dysheme”, tha mësuesja.

“Më pas ai nxorri një armë tjetër nga brezi… Nuk e prisja që ai do të vriste edhe fëmijët”, rrëfyen mësues të tjerë. Ata gjithashtu treguan se ish-polici mbante edhe një armë të dytë, si dhe një thikë, të cilën e përdori për të goditur për vdekje një mësuese tjetër, e cila ishte në muajin e tetë të shtatzënisë. Një dëshmitare okulare i tha Reuters se ajo besonte se sulmuesi po vinte për të marrë fëmijën e tij.

Kur arriti në qendër, ai “nuk tha asgjë” dhe “qëlloi në derë teksa fëmijët po flinin”, tha ajo. “Shumica e vdekjeve ishin rezultat i goditjeve me thikë”, tha Paisan për CNN. “Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Ai përdori thikën, ai nuk përdori armë”, tha një mësuese. Gjenerali i policisë Damrongsak Kittiprapas tha se sulmuesi “kryesisht përdori thikë” për të vrarë fëmijët.

“Më pas ai doli nga godina dhe filloi të vriste këdo që takonte gjatë rrugës me armë ose thikë derisa u kthye në shtëpi”, tha Damrongsak. Kur u kthye në banesë ai qëlloi gruan, fëmijën dhe veten e tij. “Ne rrethuam shtëpinë dhe më pas zbuluam se ai kreu vetëvrasje në shtëpinë e tij.” Masakra ndodhi në Qendrën e Zhvillimit të Fëmijëve në rrethin Uthaisaëan Na Klang të provincës Nong Bua Lamphu, sipas një deklarate nga kryeministri Prayut Chan-o-cha, i cili e quajti incidentin “tronditës” dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.

Provinca, afërsisht 540 kilometra në verilindje të Bangkokut, është një zonë kryesisht e qetë dhe nuk njihet për dhunë. Prayut do të udhëtojë në provincë të premten për t’u takuar me familjet e viktimave, sipas një deklarate nga zyra e tij.