Tre persona janë arrestuar gjatë operacionit nga autoritetet italiane dhe SPAK, ndërsa 5 të tjerë janë shpallur në kërkim në Shqipëri pasi kishin zhvatur miliona euro nga mashtrimet online përmes bursave dhe i investonin në kriptovaluta. Në pranga ra pronari i një Call Center në Tiranë dhe 2 persona të tjerë.
Autoritetet italiane zbuluan nga përgjimet e rreth 42,000 telefonatave të bëra në këto qendra “Call Center” në Tiranë, se vlera e parave të përfituara nga mashtrimi i italianëve arrin në 3 milionë euro. Në bashkëpunim me SPAK në Tiranë, u realizua operacioni ‘Fitimi i Ëndrrave’ në rajonin Friuli Venezia Gulia dhe u sekuestruan 2 pika “Call Center” në Tiranë me mbi 60 stacione pune të pajisura me kompjuter dhe dy serverë të lidhur me të gjitha stacionet e punës. Pasi u pikas mashtrimi, nisën hetimet nga prokurori italian Raffaele Tito në koordinim me Eneid Nakuci nga SPAK.
Hetimet zbuluan se bëhet fjalë për fjalë një skemë mashtrimi komplekse, e cila përfshinte dhe pastrimin e shumave të parave vjedhura në vende të ndryshme anëtare të BE-së, përfshirë Qipron, Lituaninë, Estoninë, Holandën dhe Gjermaninë, dhe shndërrimin e tyre në kripto-valuta.
Nga telefonata e kryera rezulton se janë marrë kontaktet e 90 mijë shtetasve italianë që do të telefonoheshin nga operatorët e punësuar në qendrat ‘Call Center’ dhe do t’i bëhej propozim për të investuar në bursa. Vlera prej 3 milionë euro mendohet të jetë vetëm ‘maja ajsbergut’, pasi vetëm analiza e sistemeve kompjuterike të sekuestruara do të mund të përcaktohen shumat reale të pastrimit të parave të përfituara nga mashtrimi në kriptovaluta.
Përveç serverit në Tiranë, të njëjtën kohë në edhe në Itali u sekuestrua serveri i përdorur nga shoqata për të errësuar gjurmët e saj kompjuterike dhe për të penguar hetimet.