Avokati bjellorus i të drejtave të njeriut Ales Bialiatski dhe dy organizata nga Rusia dhe Ukraina – Memorial dhe Qendra për Lirinë Civile, kanë fituar çmimin Nobel për Paqen për vitin 2022.
Komiteti Norvegjez i Nobelit në Oslo e bëri njoftimin të premten. Ai tha se çmimi u shkoi “tre kampionëve të shquar të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe bashkëjetesës paqësore në vendet fqinje Bjellorusi, Rusi dhe Ukrainë”.
“Ata kanë promovuar për shumë vite të drejtën për të kritikuar pushtetin, për të mbrojtur të drejtat themelore të njeriut”, tha Komiteti Norvegjez i Nobelit.
“Ata kanë bërë një përpjekje të jashtëzakonshme për të dokumentuar krimet e luftës, abuzimet e të drejtave të njeriut dhe abuzimin me pushtetin. Së bashku ata demonstrojnë rëndësinë e shoqërisë civile për paqen dhe demokracinë,” tha kreu i komitetit norvegjez të Nobelit, Berit Reiss-Andersen. .
Politikani i opozitës bjelloruse Pavel Latushko tha se çmimi ishte një nder për të gjithë të burgosurit politikë në Bjellorusi.
“Kjo na motivon të gjithëve të luftojmë. Ne jemi të sigurt se do të fitojmë kundër Lukashenkos,” tha ai, duke iu referuar udhëheqësit bjellorus Aleksandër Lukashenko.
Lista e nominimeve ishte një sekret i ruajtur, por dihej se kishte 343 emra në të, me 251 individë dhe 92 organizata.