Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka bërë me dije se përveç buxhetit të 2023 për mbrojtjen kibernetike, do të financojë edhe AKSHI me fondet e veta në shifrën 278 milionë lekë.

“Sot fillojmë buxhetin, por në një periudhë lufte dhe Shqipëria nuk ka se si të mos preket. Jemi përballur nga një sulm kibernetik ardhur nga një shtet i cili tashmë besoj se nuk ka asnjë mëdyshje që është i përfshirë dhe është pas sulmeve që kemi pësuar në sisteme dhe disa kanë qenë edhe të policisë. Në buxhetin e 2023-shin kemi pasur parasysh edhe këto pasoja, përballimin e inflacionit të luftës dh forcimin e mbrojtjes së sistemeve të Policisë së Shtetit. Në buxhetin 2023, për Policinë e Shtetit, por jo vetëm, do të kemi rritje pagash dhe përkatësisht në lidhje me Policinë e Shtetit, rreth 74% e numrit të punonjësve, ku përfshihet niveli bazë, rritja e pagës do të jetë 15%. Nga rritjet më të mëdha që ka pasur brenda një buxheti.

Rritje pagash në 7% për Gardën e Republikës dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në 13%. Rritje pagash edhe për zjarrfikësit me 7%. Së fundi, për punonjësit e tjerë të Ministrisë së Brendshme, do të kemi rritje page 7%. Kapërcim kolosal për buxhetin e mbrojtjes kibernetike. Nëse në 2022 në teknologji të brendshëm, pa donatorë, kanë qenë 72 milionë lekë, në vitin 2023 janë 547 milionë lekë, mbi shtatë herë rritje me 2021. Pajisje me teknologji informacioni, dhe në veçanti për mbrojtjen kibernetike. Përveç buxhetit tonë, për Policinë e Shtetit do të financoj edhe AKSHI me fondet e veta, 278 milionë lekë”, tha Çuçi.