Kryeministri Edi Rama ka uruar paraditen e së hënës, Giorgia Meloni-n, e cila ka marrë sot zyrtarisht detyrën si kryeministre e Italisë. Në një postim në Twitter, kreu i qeverisë uron gruan e parë të zgjedhur kryeministre nga populli italian.

Ndërsa i uron homologes së tij fat, kryeministri kujton se Shqipëria i detyrohet shumë Italisë, me të cilën “na lidh një miqësi e lashtë dhe vëllazërore.”

“Urime gruas së parë të thirrur nga populli për të udhëhequr Italinë, një vend të cilit Shqipëria i detyrohet shumë dhe me të cilin na lidh një miqësi e lashtë dhe vëllazërore, e cila ka frymëzuar gjithmonë marrëdhëniet mes qeverive tona. Paç fat!”

EDI RAMA NË TWITTER

Giorgia Meloni është bërë kryeministrja e parë grua e Italisë duke formuar një qeveri të koalicionit të krahut të djathtë. Meloni u betua ditën e sotme para presidentit bashkë me 24 ministrat. Të dielën në ora 12.00 do të zhvillohet mbledhja e parë e qeverisë Meloni dhe më 24 e 25 tetor, qeveria do të kërkojë votëbesimin në dy dhomat e Parlamentit italian.

26 ministra, 10 të zgjedhur nga Partia Fratelli D’Italia, 5 nga Forza Italia, 5 nga Partia “Lidhja” e 6 ministra teknikë është përbërja e ekzekutivit të drejtuar nga Giorgia Meloni, së bashku me dy zëvendëskryeministra, Matteo Salvini, njëherësh dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Antonio Tajani, koordinator i Forza Italia dhe Ministër i Jashtëm.