Votat e hedhura më datë 19 dhe 20 shtator brenda Grupit të Deputetëve të PD për kandidatin që do shkojë në Parlament për t’u votuar si Avokat i Popullit mundën të numëroheshin vetëm dje në mbledhje. Mësohet se Ledio Braho ka marrë 16 vota mbështetëse nga deputetët që të jetë ai emri për Avokat Populli, ndërsa Dorian Gjomarkaj kishte marrë 12 vota.
Megjithatë, mësohet se kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ende nuk ishte bindur për të çuar në Parlament për t’u votuar emrin e Leduio Brahos. Mësohet se Alibeaj është shprehur se do të thërrasë në një takim dy kandidatët për të vendosur me ta se cili do të jetë emri që do t’i dërgohet Parlamentit për Avokatin e Popullit.
Sakaq, nga ana tjetër, kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla, në mbledhjen e fundit të Grupit të PS mësohet të jetë shprehur se nuk do të presë shumë gjatë opozitën për të zgjedhur Avokatin e Popullit. Ombudsmani zgjidhet me shumicë votash në Parlament, pra, me minimalisht 84 vota dhe tradicionalisht Avokati i Popullit i lihet që të propozohet opozitës. Por ndonëse emri duhet të kishte shkuar në Parlament që në sesionin e kaluar, për shkak të mosdakordësive të brendshme në grupin e deputetëve që drejtohen nga Alibeaj, procesi është shtyrë deri më tani.