Ilir Meta ka nisur fjalën e tij në Konventën Kombëtare të Partisë së Lirisë me thënien e Papa Franceskut. Më pas theksoi se ëstë e rëndësishme që të gjithë të punojnë dhe t’i japin shqiptarëve mundësitë e mohuara dhe lirinë që e cilëson të grabitur nga Rilindja.

“Papa Françesku ka thenë “Liria nuk është e drejta për të bërë çfarë kemi dëshirë, por mundësia për të bërë gjënë e duhur”… Prandaj, sot më shumë se kurrë kemi nevojë të gjithë së bashku të bëjmë gjënë e duhur për të mbrojtur lirinë e çdo qytetari dhe të shoqërisë tonë nga ‘burgosja’ e saj.

Partia e Lirisë është alternativa e shpresës për të zgjuar guximin qytetar dhe shpritin e lirë dhe patriotik. Misioni ynë është tu japim shqiptarëve lirinë e grabitur dhe mundësitë e mohuara për të jetuar me dinjitet dhe të lirë në Atdheun e tyre.

Ndaj ne do të bëjmë çdo sakrificë për të ndaluar shpopullimin, këtë hemorragji që po vret vitalitetin, energjinë e Shqipërisë, të rinjtë dhe profesionistët, e që po kërcënon identitetin dhe të ardhmen e kombit dhe familjeve tona.

Sot, së pari qytetarët presin prej Partisë së Lirisë heqjen e prangave dhe shembjen e burgut ku po jetojnë. Ky është borxhi më i madh që u kemi qytetarëve qysh pas rrëzimit së diktaturës komuniste në fillim të viteve 90’…

Koha nuk pret më! Koha është tani, që Partia e Lirisë dhe Opozita e Bashkuar t’i japi fund sundimit të regjimit që u ka rrëmbyer liritë shqiptarëve. Ndaj Partia e Lirisë angazhohet solemnisht, ti japë fund sundimit të regjimit, për të vendosur sundimin e ligjit!” – tha Meta.