Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma ikën
ndër do bota të larta…
Datëlindjet e Migjenit dhe Dritëro Agollit janë përkujtuar së bashku, me poezi e tinguj. 13 tetori që i bashkon po aq sa vargjet që lanë pas poetët, mblodhi letrarë e familjarë në Akademinë e Arteve ku Roza Anagnosti dhe Kastriot Çaushi ju dhanë zë mjerimeve e dashurisë varg pas vargu.
Veprimtaria u organizua nga Qendra Kombëtare e Librit në kuadër të Tetorit të librit.
Ndërsa Migjeni erdhi përmes baladës qytetëse, buzëve të flakta, si zë i këngës skandaloze e zë i lutjes ndaj një perëndie që i blatohen kangë të pakëndueme, biri i shekullit të ri, u ndje pothuaj aq rinor dhe i qashtër sa ç’qe kur u shua krejt i ri, për Agollin foli e bija, Elona.
“Është një poezi që kur e shkroi babai, gjyshja ishte gjallë dhe ajo ua lexonte gjithë grave të fshatit”, tha Elona Agolli para se te recitonte disa vargje.
Migjeni shkroi gjatë kohë së mbretërisë, çka paratha fatin e poezisë së tij në diktaturë duke u përdorur shpesh në një luftë që do e kishte kundërshtuar, Agolli shkroi gjatë komunizmit dhe pas rënies së tij.