Ndahet nga jeta Sulejman Maliqati, ikona e portës shqiptare! Ditën e nesërme do t’i jepet lamtumira për në banesën e fundit, Sulejman Maliqatit, portierit legjendar të kombëtares shqiptare.
Pak përpara se të ndërronte jetë, Maliqati është rrëzuar dhe është dëmtuar rëndë. Pavarësisht përkujdesjes së mjekëve, ai nuk mundi t’i përballonte dëmtimet dhe nuk mbijetoi. Maliqati është mbiquajtur ‘Macja e Zezë’ në turneun ndërkombëtar të ‘Lajpcigut’ në vitin 1958.
Homazhet për 94-vjeçarin që mbylli sytë pasditen e kësaj të mërkure do të zhvillohen në hollin e Pallatit të Kulturës në Durrës në orën 13.00-15.00. Kortezhi mortor do të niset në orën 15.00 drejt varrezave të qytetit.
I nderuar dy vite më parë nga presidenti Meta me titullin e lartë “Nderi i kombit”, ndërkohë që për kontributin e dhënë ndër vite në sportin e futbollit portieri i mirënjohur është nderuar edhe me titullin “Qytetar nderi” i Kavajës dhe “Mjeshtër i merituar i sportit”.