Në Dibrën e fermerëve punëtorë dhe vizionarë edhe në kohë sfidash e vështirësish
Fermerët e Dibrës, të mirënjohur në përkushtimin ndaj tokës përmes punës së palodhur, që kanë zgjedhur të ndërtojnë të ardhmen në tokat e tyre, ishin bashkëbiseduesit e radhës në dialogun e hapur me Kryeministrin Edi Rama për bujqësinë dhe perspektivën e zhvillimit të saj në një kohë aspak të lehtë sfidash.
Kryeministri Edi Rama: Mbase është më mirë që ta thyejmë këtë monotoninë e fjalimeve dhe mbase merrni ju fjalën për të thënë gjërat tuaja, pastaj unë jam i gatshëm të flas sepse më rrëmben fjala. Është edhe ky vendi këtu një kryevepër dhe shoh edhe këtë tendën këtu, kështu e kam unë perden në shtëpi – tek sarajet që thonë ata, – këtë perde kam. Disa e quajnë kështu, se këta që i duan me mëndafshe kujtojnë se këto janë lecka, por ajo është super, është art.
– Ju falenderoj që sot jeni këtu që ne të themi konsideratat dhe kërkesat që kemi në lidhje me fermerët. Kam punuar një periudhë kohe në emigracion Gjermani, Austri. Prej dy-tre vitesh vendosa që të mos largohem më nga Shqipëria dhe të jem pjesë e Shqipërisë, aq mundësi sa kam, nuk më mungon dija, nuk më mungon vullneti, nuk dorëzohem para vështirësive. Para 3 vjetësh prodhoja rreth 20 kuintal misër, sot kam 300 kuintalë misër, kam mbjellë 7 hektarë grurë me kursime nga emigracioni. Më vjen mirë që jeni këtu dhe të kem mundësi t’iu them që mbështetja e drejtorisë së bujqësisë ka qenë e jashtëzakonshme. Kam kultivuar misër, në prill kur kam mbjellë jam interesuar në gjithë dibrën të kërkoj a ka dikush një agregat për të korrur misër. Unë nuk do kisha mbjellë 3 hektarë, do kisha shumë më shumë, por duke ditur se misrin e korrim akoma me drapër si në kohën e Skënderbeut, një njeri nuk i përballon dot. Fshati ynë nuk ka asnjë tokë me dokumente. Unë kam 5 dynymë tokë. Unë që të përfitoj agregatë, më duhet certifikata e pronësisë.
– Nga 2010 kemi punishten që e kemi hapur. Kemi ecur me rezultate shumë të mira. Në 2019 bëra një aplikim tek AZHBR-ja pata një ndihmë me një vlerë shumë të mirë. Sot e kësaj dite po ecim me zhvillim më të madh, na ka ndihmuar shumë edhe infrastruktura, janë shtuar disa fshatra që nuk kanë pasur asfalt. Sot vuajmë për lëndën e parë, nuk ka shumë qumësht.
– Përshëndetje! Kemi pasur mbështetje nga drejtoria e bujqësisë dhe kryetari i bashkisë në aplikimin e skemës së përfitimeve. Ferma ime është krijuar në 2012 kur u ktheva nga Italia dhe vendosa t’i futem bimëve medicinale. Vendosa të sjell në Shqipëri 14 lloje frutash ekzotike, mini fidanë në sasi të vogla dhe për 3 vjet rresht kanë dalë me rezultat shumë të mirë, nga Kuba, Siberia, Tibeti e të tjerë. Shpërndaj në të gjithë Shqipërinë. A ka një paketë specifike për të gjithë këtë punë që kam bërë, për gjithë këto varietete që kam sjellë në Shqipëri? Nëse kam përkrahje unë bëj çudira.
– Jam kthyer prej 15 nga emigrimi dhe kam investuar në Shqipëri. Kam një stan lopësh dhe 1 hektarë qershi. Jam përfitues i skemës mbështetëse dhe i naftës dhe të krerëve të lopës mirëpo hasim disa vështirësi që i tha dhe parafolësi; kemi vështirësi për mjetet bujqësore, për punimin e tokës, spërkatjen e pemëtores dhe mospajisja e tokës me certifikatë pronësie. Nuk mundemi të aplikojmë dot sepse pjesa më e madhe e tokave nuk ka certifikatë pronësie.
– Jam fermer prej 30 vitesh. Ne jemi fshat 800 metra mbi nivelin e detit mirëpo funksionim rruge nuk kemi. Na ka ndihmuar kryetari i bashkisë mirëpo terreni është i keq, nga ju kërkojmë vetëm rrugën e fshatit.
– Jam biznes që nga ’91. Unë nuk dua diçka për veten por për komunitetin. Kam bërë dy projekt-plane, një për bujqësinë dhe një për turizmin. Praktikën e kam marrë nga Bullgaria, Hungaria dhe Çekia për përqendrim të mjeteve bujqësore sepse në njësinë tonë Maqellarë ka 3000hektarë tokë dhe nuk mbillen më shumë se 200hektarë. Skema e naftës duhet parë sepse është një skemë abuzive, sepse marrin naftë për 10 dynym. Ai nuk ka traktor, zetor, ku do e çojë atë tollon naftë? Shkon e kthen dhe e merr me 70% atje. Shteti po e shpenzon lekun por ama nuk shkon aty ku duhet.
Kryeministri Edi Rama: Të flas unë kallauzi tani se mora gjithë këto shënime dhe këto pastaj nuk diskutohet që çfarë themi këtu do bëhet, futet në proces për t’u bërë dhe çfarë themi këtu që mund të bëhet, por s’është ky momenti për ta diskutuar si puna e teleferikut për shembull, shkon pak më larg.
Së pari, unë dua të them që ne kemi shumë besim tek kryetari i bashkisë dhe tek bashkia që vërtetë mund të bëjnë diferencën në sensin që është koha për të hyrë në proces bashkëpunimi dhe bashkërendimi me fermerët për të rritur kapacitetet grumbulluese, për të rritur kapacitetet përpunuese, për të rritur kapacitetet mikpritëse në mënyrë që të hedhim një hap tjetër të konsiderueshëm përpara.
Kur kam ardhur në fillim këtu në Dibër si kryeministër nuk e kishim këtë situatë. Më kujtohen takimet e para me njerëzit e fshatit, ishte dëshpërim, përpjekje të mëdha individuale për të mbijetuar, por asnjë lloj koncepti mbështetjeje, të jemi realistë.
Sot bashkë me zëvendëskryeministren shkuam te ujësjellësi. I dhashë dhe një gotë ujë një demokrati atje. 24 orë ujë që nuk ka bërë vaki ndonjëherë as në kohë të komunizmit, as në kohë të mbretërisë e as të perandorisë. Ka njerëz që thonë: “po mirë, akoma për ujin flisni”? Po për farë të flasim? Nëqoftëse s’do flasim për ujin, për çfarë do flasim? Se mos është përgjegjësia jonë që trashëgimia në të gjitha anët ishte një qamet, këtu nuk kishte ujë, në Mat nuk kishte ujë, denbabaden. Sot kemi një ujësjellës që është vënë në funksionim dhe unë e konsideroj këtë një ogur të mirë por edhe një heqje qafe të një problemi shumë të madh. Natyrisht që ne duam të ujisim çdo pëllëmbë tokë që mund të punohet. Tani kemi ardhur në fazën që po shohim, që po kërkohet, jo se po shohim ne vetëm, por po kërkohet që të bëjmë kanale ujitëse dhe aty ku nuk është punuar ndonjëherë as në kohën përpara dhe shumë mirë. E patjetër që këtë investimin për Maqellarën do ta bëjmë, por nga tjetër, pyetja ime është: Po rrugën që lidh Maqellarën me Peshkopinë, ta lidh dhe dibranin e Peshkopisë me Rrugën e Arbrit, do ta bëjmë këtë? Do ta bëjmë dhe e kemi futur në investim.
Kështu që unë e kuptoj shumë mirë rëndësinë e rrugës së Kastriotit dhe shpresoj që kryetari i bashkisë ta mbajë fjalën dhe ta bëjë, siç më thotë që e ka futur në plan, por ne duhet të lidhim atë një herë se nuk mund të bëjmë Rrugë Arbri dhe këta dibranët me namuz që rrinë te ai bulevardi të thonë: është rrugë Maqellare ajo. Se të bëjnë barsoletë. Bëje sa të duash Rrugën e Arbrit bëhesh barsoletë gjithë jetën. Kur qëllon që je dhe dy metra kur të bëjnë barsoletë është e rëndë shumë. Kështu që do ta bëjmë dhe këtë. Është për t’u investuar.
Ndërkohë janë bërë dhe financimet, janë bërë dhe garat, do të lidhen dhe kontratat shumë shpejt për Planin e Bardhë dhe Qafën e Buallit që janë histori nga ato të vjetrat. E keni parasysh, “ta gëzoni rrugën dhe hajde shëndet, mirupafshim”. Hidhni votën dhe pastaj gropën. Do ti bëjmë dhe ato, janë gati dhe me shpresë që të durojmë dhe të duroni deri në fund për tunelin e Murrizit që ka dalë një formacion gjeologjik problematik shumë dhe që ecën një metër në ditë sepse do përforcime të mëdha por kështu është. 25 metra në ditë bëhen në tunelin e Llogorasë, një metër këtu sepse ka dalë gjeologjia, e kanë marrë mësysh se iu ka ardhur shumë inat që u bë rruga e Arbrit pas 100 vitesh premtime, por s’kemi çfarë t’i bëjmë. Ndërkohë çështja e tokës dhe dokumenteve është një problem që i kemi rënë nga të gjitha anët dhe unë sa më shumë jurist mbledh për ta zgjidhur, aq më lëmsh bëhet. Pse? Sepse problemi këtu është, sidomos në zonën e veriut, ka zona që nuk e kanë pranuar 7501 dhe e kanë bërë ndarjen sipas kufijve të vjetër dhe janë marrë vesh me njëri tjetrin, nuk ka konflikte mirëpo nuk është sipas ligjit dhe tani po bëjmë një aneks po themi të veçantë ligjor që në bashkëpunim me njësitë administrative dhe bashkitë aty ku toka është pa konflikt, t’i japim mundësinë e titujve të pronësisë që të kenë akses nëpër fonde, bazuar në parimin që duhet të jetë e punuar, jo tokë ‘dua malin se ma ka lënë gjyshi’. Tokën e punuar në mënyrë që fermerët që punojnë ato sipërfaqe pa tituj pronësie për shkak se janë jashtë kuadrit ligjor, të mund të gëzojnë ato që iu takojnë nga mbështetja financiare.
Për sa i përket naftës, është e vërtetë, jo se ka abuzime, në kuptimin skema nuk lë shumë shteg, por kini parasysh një gjë: për të gjithë ata që thonë ose dëgjojnë që nuk mbështetet bujqësia këtu sa duhet, është i vetmi sektor bujqësor në Europë, në rajon që nuk taksohet fare. Zero taksë. Dhe jo vetëm kaq, por kemi shpërndarë sasi të mëdha nafte pa marrë parasysh, duke kërkuar vetëm niptin, pa marrë parasysh prodhimtarinë dhe këtë nuk mund ta vazhdojmë pafund se nuk mund të vish të më thuash, “unë kam një NIPT dhe 5 dynym, më jep naftën”. Duhet të më sjellësh dhe faturat, çfarë bën me këtë prodhim. Pse ta jap naftën? Kuptohet jo për të taksuar prodhimin por për të dhënë naftën që të shkojë çdo pik nafte aty ku duhet të shkojë se ne nuk kemi mundësi që dhe ta derdhim i bie, se nuk na ka dalë akoma ajo në Shpirag, kur të dali ajo në Shpirag po doli, atëherë po themi hajde se dhe ndonjë pik naftë po e derdhim. Por s’kemi mundësi ta derdhim. Kështu që do ta zgjidhim me këtë ndërkohë që për sa i përket investimeve, se është dhe ky problem tjetër, përsa i përket investimeve të pikave të grumbullimit, të përpunimit, për ata që pengohen sepse s’kanë dokumentet do të marrim një masë tjetër, që do tja japim titullin e pronësisë gjithmonë me prezumimin që është toka e tyre, s’ka konflikt, me vërtetimin e bashkisë etj dhe nëse kjo do të prodhojë një pasojë në të ardhmen dhe nëse do dalë njëri të thotë ‘këtë ja ka lënë Bajram Curri gjyshit tim se gjyshi im e mbrojti Bajram Currin megjithëse pastaj e vranë po nuk ishte faji i gjyshit’ atëherë me këtë stërnipin e këtij që e ka patur gjyshin komshi me Bajram Currin do merret shteti, nuk ka punë personi. Do bëjë investimin. Investimi është i sigurtë dhe i garantuar nga shteti, që po qe se del një pronar i pretenduar ose real, me atë merret shteti. Nëse është një pronar real, i jep shteti lekët e dëmshpërblimit për faktin që pronën e përdori dikush tjetër. Zakonisht në këto zona nuk është ky problemi.
Sa i përket investimit të fidanëve. Çështja është që ky është një investim shumë special e nuk hyn në programet e subvencionimeve të Bashkimit Europian ose tonat, por ajo që duhet të ndodhi në këtë rast dhe që mund të jetë shumë e favorshme për të rritur kapacitetin, është ajo që unë pres të bëjnë bashkitë në këtë fazë. Duhet të futen bashkitë në marrëveshje e të krijojnë shoqëri të përbashkët me fermerët, dhe bashkitë, jo për të marrë shumicën, por për të garantuar financim. E kjo shoqëri, bashkia dhe fermeri apo fermerët, përfiton edhe nga garancia sovrane, përfiton edhe nga donatorët edhe kur janë jashtë këtyre zërave të subvencionimit të Bashkimit Europian. Ja ku është rasti për të bërë një kompani të përbashkët e pastaj për të bërë financimin. Këtu dalim te pjesa e tokës. Për të zgjeruar sipërfaqen, duke zgjeruar kapacitetin ujitës, sigurisht që do ta bëjmë edhe këtë. Është e domosdoshme. Ajo zonë është një zonë me shumë prodhim, me njerëz shumë punëtorë dhe nuk po kërkojnë shkencë të madhe, por një mbeshtetje që ne do ta bëjmë.
Gjëja që dua të shtoj në fund është që kjo zonë është e bekuar nga Zoti e fatmirësisht në këto vitet e fundit, bekimi po fillon t’i kthehet në mirësi, falë jush në radhë të parë. Falë atyre që ndërtojnë këto struktura agroturizmi. Kur sheh rreth e rrotull, me përjashtim të atyre shtyllave që ke berë atje si ato shtyllat e lokaleve e diskove nëpër autostradë, që s’kanë lidhje fare me këtë zonë, këtu është Austri, Zvicër. Një bukuri e madhe, një investim i bukur dhe kështu është kudo Dibra. Po dhe Shqipëria ka kudo magjira. Rruga krijon mundësinë që shumëkush të dojë të vijë këtu. këtu vetëm dëshirë dhe vullnet për punë të ketë, vetëm durim se këtu jemi bashkë ne. “O idjot s’bëhet ky vend”, – ma thonë mua çdo ditë.
Mua më thonë edhe një gjë tjetër, ty s’të thonë “e ke fajin ti”, kurse mua më thonë “ti e ke fajin”. “Puna mbarë” shyqyr Zotit janë pjesa më e madhe që e thonë. Ty ta thonë nga afër, ne me votë. Idiotët që të thonë “idiot”, nuk do mungojnë asnjëherë. Përkundrazi, do shtohen në llojin e tyre, por do shtohemi më shumë ne.
Do shtohen më shumë ata që vijnë nga emigracioni. Unë e kuptoj shumë mirë, është gjëja më normale. Unë kam qenë vetë emigrant. Është gjëja më normale që njeriu të kërkojë më shpejt, më shumë dhe ta kërkojë aty ku është qendra e botës, jo të rrijë në fshat. Po nga ana tjetër, sot janë kushtet e mundësitë të tilla që kush ka një shtëpi të rrënuar në fshat, kudo, në çdo fshat, ose një copë tokë të trashëguar bashkë me shtëpi nga stërgjyshi, ose kush ka kapacitet për të marrë një tokë me qira, duhet ta bëjmë me vrap e jo të rrijë të punojë për të tjerët në Angli e Gjermani.
Duke bërë këtë, edhe me mbështetjen që jep qeveria, po dhe me klimën që është krijuar, se s’do vijnë njerëzit gjithmonë në një vend. Do duan të shkojnë këtu e këtu, do fitojnë minimumi dyfishin e asaj që fiton andej e do harxhojë shumë më pak se çfarë harxhon andej nga ato që fiton. Se llogaria është kollaj kur bëhet “e kanë rrogën kaq”, po pyeti njëherë se sa shpenzojnë. Po merri pyeti njëherë sa po u vjen fatura e gazit dhe e energjisë elektrike. Çdo vend ka të mirat e veta, po ka dhe hallet e veta.
Ne jemi në kushtet kur fshati po shkon në drejtimin e duhur, komplet ndryshe nga çfarë thotë televizori, po s’po flas për televizorat edhe këtu. thjeshtë, dua të them ju jam shumë mirënjohës se ju nuk punoni vetëm për vete. Sigurisht që punoni për vete, por me punën që bëni, me eksportet që rrisni, me shembullin që jepni, që jo vetëm ka jetë të mundshme edhe në majë të malit si këtu, po ka edhe biznes të mundshëm, fitim të mundshëm. Jeni frymëzim e inkurajim për mua, për ne dhe për ata që kanë sy për të parë, veshë për të dëgjuar e mend për të kuptuar, jeni nxitje që të vijnë të bëjnë të njëjtën gjë. Për këtë arsye jeni shumë të rëndësishëm.
Para disa vitesh ishit totalisht të braktisur. Totalisht në mbijetesë. Sot, nxirrni fitime. Qyteti mund të ankohet që u rritën shumë çmimet e mollës, po nga ana tjetër, ato fitime i shkojnë fshatit, prodhuesve. Te këto nuk hyn fare qeveria në mes. S’ka taksë as molla, as qepa që shitet te tregu.
Në këtë sens është shumë e rëndësishme që ju merrni frymë lirisht. Patjetër që puna në bujqësi do mbetet gjithmonë një punë me risk, se të vjen breshëri nga lart, të shkatërron dhe iku një vit. Ose s’ke ujë se thatësi e madhe, prapë u godite, por hap pas hapi unë jam i bindur që këtë bekim që Zoti i ka dhënë këtij vendi duke e qëndisur në çdo cep, ne kemi filluar ta kthejmë në mirësi. Për ata që kanë sy ta shohin. Për ata që thonë “o idiot, çfarë po bën”, nuk ka zgjidhje. Duhet të shohim përpara e të merremi vesh me ata, që e dinë se çfarë po bëjnë. Me ata që s’dinë çfarë bëjnë, janë problem i madh, po e lemë për një herë tjetër, se s’ka lezet ta prishim, fjalën e fundit e ka i zoti i shtëpisë.
-Mirë se erdhe zoti Kryeministër! Më mbeti vetëm të falenderoj. Të falenderoj që zgjodhe të vish në këtë minipark që e kemi bërë me shumë mund. Ne dibranët, të zotit të shpisë nuk i kërkojmë asgjë. Po të më lejosh, po të kërkoj dicka. Këtu, sikur ke bërë investimet në Tiranë të bësh llixhat e Peshkopisë, t’i rrënosh dhe të ndërtosh diccka të re.
Kryeministri Edi Rama: Për llixhat, ka vetëm një rrugë. Kryetari i bashkisë, bashkë me ju këtu, kush ka lekë këtu, jo shumë, fut secili 5 lekë, nuk ka rëndësi, bëni një shoqëri të përbashkët me bashkinë, për projektin unë ju mbështes dhe bëjmë një transformim dhe jeni aksionerë. Ato 5 lekë që do vini do nxirrni 7 lekë, kuptohet po nuk filluat të ziheni me njëri-tjetrin. Bëni një shoqëri të përbashkët me bashkinë, futuni të gjithë, bëhet një shumë fillestare, bashkia vë një fond, merret një kredi në bankë nga kjo shoqëri, qeveria jep mbështetjen e vet pa u fut vetë atyre brenda dhe t’i bëjmë se ajo është një pasuri shumë e madhe e shyqyr erdhi dita që po merremi me këto gjëra se këtu nuk kishe se nga vije.