Teksa lufta në ukrainë po vijon që prej 24 shkurtit të këtij viti, mediat e huaja thonë se një largim i Vladimir Putinit nga pushteti është mjaft i dikutueshëm. Këto diskutime vijnë në një kohë që prej 8 muajsh lufta është futur në ngërç dhe Rusia po shkon drejt dështimit. Presidenti rus, që mbushi 70 vjeç më 7 tetor, nuk arriti fitoren e shpejtë që synonte kur shpalli më 24 shkurt fillimin e një “operacioni special ushtarak”. Disa muaj më vonë, Ukraina po arrin të rimarrë pjesë të mëdha të territorit të saj në jug dhe verilindje.

Humbjet e njëpasnjëshme, kanë sjellë si rrallëherë kritika të forta publike nga ana e aleatëve të tij kryesorë, si lideri çeçen Ramzan Kadyrov dhe themeluesi i grupit mercenar rus, Ëagner Group, Yevgeny Prigozhin. Ndërkohë inteligjenca ukrainase ka aluduar sërish mbi mundësinë e ndodhjes së një grushti shteti brenda ushtrisë së tij.

Si kandidatë të mundshëm përmenden zyrtarë të shquar të Kremlinit. Gazeta e pavarur ruse, Meduza, raportoi se njerëz brenda Kremlinit po diskutojnë privatisht një listë pasardhësish të mundshëm, në rast se Putini do të rrëzohet për shkak të luftës së dështuar në Ukrainë.

Dmitri Medvedev

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Rusisë, aktualisht zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurimit, është një nga një pasardhësit e mundshëm që po diskutohet nga zyrtarët e Kremlinit. 57-vjeçari ka qenë shumë aktiv gjatë gjithë luftës, duke bërë komente të ashpra mbi çështjet e politikës së jashtme, vlerëson think-tanku amerikan “Carnegie Endoëment for International Peace”.

Të hënën, Medvedev u përfshi zyrtarisht në listën e më të kërkuarve nga Kievi. Shërbimi i sigurisë SBU i Ukrainës, tha se ai do të shpallet në kërkim sipas një seksioni të kodit penal që kishte të bënte me përpjekjet për të minuar integritetin territorial të Ukrainës dhe paprekshmërinë e kufijve të saj.

Sergej Kiriyenko

60-vjeçari është zëvendësshefi i parë i kabinetit të Putin, dhe vlerësohet si nxitësi i karrierës së Putinit duke i dhënë këtij të fundit postin e lartë në agjencinë kryesore të sigurisë të Kremlinit, Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB).

Tani Kiriyenko është në krye të mbikëqyrjes dhe administrimit të aneksimit të rajoneve Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson të Ukrainës, një detyrë që e mori në një kohë që komuniteti ndërkombëtar i ka dënuar si të paligjshme referendumet e mbajtura në këto zona. “Ai është vazhdimisht në sytë publikut, dhe thotë atë që i pëlqen të dëgjojë presidenti Putin”- tha një burim i Kremlinit për Meduza-n.

Dmitry dhe Nikolai Patrushev

Dmitry Patrushev, Ministri rus i Bujqësisë, është djali i kreut të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Nikolai Patrushev. Që të dy, babë e bir, janë përmendur si pasardhës të mundshëm të Putinit. Stephen Hall, lektor i politikës në Universitetin e Bath, shprehet për Neësëeek se Kremlini ka folur prej kohësh për këto 2 figura.

“Në të kaluarën Nikolai Patrushev ka qenë shumë i aftë për të manipuluar atë që është e nevojshme. Dhe ai është shumë i aftë në lojërat në të gjitha anët për ruajtjen e pushtetit të tij. Ndaj është shumë e mundur që ai mund ta pasojë Putinin”- thotë Hall.

Sir Richard Dearlove, që ka qenë kreu i shërbimit sekret britanik në vitet 1999-2004, deklaroi në korrik të këtij viti se Nikolai Patrushev, një aleat i vjetër i Putinit, është kandidati më i mundshëm për ta pasuar në krye të Rusisë.

Yevgeny Prigozhin

Prigozhin, themeluesi i Ëagner Group, ka bërë bujë në media javët e fundit për talljen publike ndaj ushtrisë së Putinit, pas një serie kundërofensivash të suksesshme të kryera nga Kievi në jug dhe verilindje të Ukrainës. Në përgjigje të vlerësimit të ekspertit ushtarak rus Oleg Zhdanov, se Prigozhin mund ta rrëzojë Putinin, Hall tha se ai mund të “lëvizë fijet në prapaskenë, si një mjeshtër kukullash”.

Pra Prigozhin mund të vendosë Medvedev si një president-kukull, ndërsa vetë të veprojë nga pas perdes. “Ai ka grupin e tij paraushtarak, Ëagner Group dhe ata janë si një shtet më vete. Natyrisht vetë ai e ka një problem. Kushtetuta ruse nuk mund të ndryshohet. Dhe ajo thotë se asnjë person me rekorde kriminale nuk mund të jetë president i Rusisë”, thotë Hall.

A mund të rrëzohet Putin?

Analistë politikë janë të ndarë nëse shefi i Kremlinit do të shkarkohet nga detyra për shkak të gabimeve të tij në rënda gjatë luftës në Ukrainë. Kasia Kaczmarska, lektore e politikës dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Edinburgut, Skoci, tha për Neësëeek se ajo e sheh ende Putinin si “relativisht të sigurt” në mbretërimin e tij 22-vjeçar.

“Unë mendoj se asnjë individ nga brenda regjimit nuk është i aftë të përballet me Putinin.

Për të sfiduar udhëheqjen e tij, aleatët e deridjeshëm duhet që të bashkojnë forcat. Por mosmarrëveshjet e vazhdueshme dhe gjithnjë e më të forta midis strukturave shtetërore dhe rrjetit nepotik të Putinit, e pengojnë shfaqjen e një koalicioni të qartë anti-Putin”, thotë ajo.

Ndërkohë Adrian Florea, lektor mbi marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Gllasgout, thotë për Neësëeek se çdo luftë për pushtet që mund të ndodhë aktualisht brenda regjimit të Putinit, është “shumë e mjegullt dhe jo e lehtë për t’u deshifruar.

Gjithsesi, edhe Florea vë në dukje shtimin e zërave kundër që pas disfatave të dukshme ushtarake të javëve të fundit. Ai mendon se nëse Rusia do të humbasë kontrollin e rajonit lindor të Donbasit dhe Krimesë, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014, perspektivat për ndryshimin e regjimit do të ishin shumë më të larta.

“Me humbje të tilla në fushën e betejës, Putini ka të ngjarë ta gjejë veten në pozitën e urdhërimit të një mobilizimi ushtarak në shkallë të gjerë, dhe kjo mund të shkaktojë zemërimin e popullsisë së madhe urbane ruse”, thekson Florea.

Një mobilizim në shkallë të gjerë, ka gjasa ta zhysë vendin në një krizë të rëndë ekonomike, të shkaktojë pakënaqësi të mëdha dhe trazira publike, dhe në fund të fundit në rebelimin e vetë regjimit dhe periferisë – guvernatorët rajonalë që deri më tani i kanë qëndruar kryesisht besnikë Putinit – argumenton Florea. “Në këto rrethana, ka të ngjarë të intensifikohet lufta për pushtet brenda Kremlinit”, shton ai.