E nesërmja do të jetë një ditë e rëndësishme për të gjithë kontinentin e Evropës, do të lançohet projekti ambicion i Komunitetit Politik Evropian, që synon rritjen e bashkëpunimit dhe afrimin e vende të kontinentit në sfidat dhe ndihmë reciproke. Në takimin që do të zhvillohet në Pragë të Çekisë janë të ftuar 44 vende. Shqiptarja.com ka siguruar axhendën e takimit, ku vihet re se 3 do të jenë sesionet e rëndësishme të aktivitetit: lançimi i projektit, tryeza e rrumbullakët dhe takimet bilaterale.
Interesant është fakti se në sesionin më të rëndësishëm të samitit, në atë të lançimit të këtij projekti kaq ambicioz do të ketë vetëm 5 fjalë përshëndetëse, dhe një prej tyre është përfaqësuesi i Shqipërisë Edi Rama. Mes folësve sigurisht është kryeministri i vendit pritës, ai i Republikës Çeke, Petr Fiala, deklaratë e Presidentit të Ukrainës Zelensky, Kryeministri i Norvegjisë Gahr Støre, dhe në fund fjala e Kryeministrit Truss (Mbretëria e Bashkuar). Shqiptarja.com mëson se për përcaktimin e vetëm 5 folësve ka pasur debate të vogla mes organizatorëve, por përfundimisht është vendosur që Kryeministri Rama dhe 4 liderët e tjerë të jenë të vetmit që do të kenë të drejtën e fjalës në sesionin e parë të hapjes.
Paqja dhe Siguria, Energjia, klima dhe situata ekonomike do të jenë pjesë e takimit të nesërm të Komunitetit Politik Evropian. Tryeza nis punimet në 13:00 dhe mbyllet me konferencën për mediat pas orës 19:30. Pjesëmarrëse do të jenë vendet e Bashkimit Europian, vendet aspirante për në BE, Ballkani Perëndimor dhe aleatë të BE. Përveç Shqipërisë, pjesë e takimit do të jetë edhe Kosova, Britania e Madhe dhe Ukraina. Ndërsa gjatë këtij takimi do të ketë takime bilaterale mes krerëve të vendeve të caktuara, sipas vullnetit të palëve.
Komuniteti Politik Europian është një nismë e propozuar fillimisht nga Presidenti francez Emmanuel Macron. Rama tha se dje se kjo nismë, e cila deri pak vite më parë do ishte totalisht e paimagjinueshme, është e Holandës dhe e Shqipërisë, për të angazhuar bashkësinë europiane në një drejtim ku synohet një konkretizim sa më real të vizionit dhe projektit të ri të komunitetit të ri politik evropian.
Kreu i qeverisë u shpreh se “ky proces do të kërkojë kohën e vet, por për ne është e rëndësishme të shtyjmë në këtë drejtim. Nuk ka asnjë diskutim që dimensioni akademik dhe arsimor i integrimit të plotë në BE nuk duhet të presë anëtarësimin e plotë të vendeve të Ballkanit në BE, por duhet t’i paraprijë këtij anëtarësimi”.
Pjesëmarrësit e ftuar të marrin pjesë në këtë takim të parë të Komunitetit Politik Evropian:
27 shtetet anëtare të BE-së
Shqipëria
Armenia
Azerbajxhani
Bosnje Hercegovina
Gjeorgjia
Islanda
Kosova
Lihtenshtajni
Moldavia
Mali i Zi
Maqedonia e Veriut
Norvegjia
Serbisë
Zvicra
Turqia
Ukraina
Mbretëria e Bashkuar
Presidenti i Komisionit Evropian
Presidenti i Këshillit Evropian
Çfarë pritet të ndodhë?
Liderët e të gjitha shteteve evropiane, përveç Bjellorusisë dhe Rusisë (po ashtu edhe të shteteve të vogla evropiane) do të takohen në Kështjellën e Pragës më 6 tetor për të diskutuar për çështjet që lidhen me situatën e sigurisë në kontinent, teksa lufta në Ukrainë po vazhdon. Ky takim, po ashtu, është për të lansuar Bashkësinë Politike Evropiane – një ide që fillimisht është promovuar në muajin maj nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Një ditë më pas, më 7 tetor, kryeqyteti çek do të jetë nikoqir i një samiti joformal të Bashkimit Evropian që gjithashtu do të mbahet në Kështjellën e Pragës. Liderët nga 27 shtetet anëtare do të bisedojnë për sanksionet e Rusisë, për krizën energjetike, teksa kontinenti pritet të përballet me një dimër të vështirë.