Sopranoja shqiptare me famë botërore Inva Mula, ka rrëfyer për Drini Zeqo në A2 CNN, shumë nga misteret që rrethojnë jetën e saj veshur me shkëlqimin e skenave më të famshme në botën e artit. Nga karriera, marrëdhënia me prindërit, fëmijët dhe jeta pas kamerave, artistja tregon si gjithçka nisi kur plotësisht në fshehtësi nga mamaja e saj, nisi të bënte prova për të mësuar veprën e njohur botërore “La Traviata”. Nga momenti që ajo audicionoi, jeta e Invës ndryshoi përgjithnjë.
“Unë sapo mbarova Konservatorin e Tiranës, që sot njihet si Akademia e Arteve dhe në ato momente nuk e mendoja largimin nga Shqipëria. Nuk kisha as pasaportë. Si çdo shqiptar. “La Traviata” luhej në atë kohë në teatrin tonë dhe vendosa ta mësoj vetë, në fshehtësi. Sepse mamaja ime, si mësuesja ime e kantos, një grua shumë e disiplinuar nuk lejonte që një këngëtar t’i digjte etapat e formimit. Tani mamaja ime nuk jeton më dhe më vjen keq që ja kam thyer zemrën. Por rebelizmin e atëhershëm, do ta interpretoja si kuraja e një artisti të ri që ka nevojë për konfirmim.”
Në moshën 23-vjeçare, pasi audicionoi në Teatrin Kombëtar, Mula nisi hapat e vërtetë të karrierës që do ta çonte pak më vonë drejt Parisit, “Qytetit të Dritave”. Në rrëfimin e saj, diva e muzikës ka folur edhe për marrëdhënien me prindërit e saj Nina dhe Avni Mula, që të dy artistë të shquar.
“Fati më i madh që unë kam pasur në jetë, është se kam pasur ata prindër”, është shprehur ajo ndërsa ka treguar se me babanë ka pasur një marrëdhënie shumë te ngushtë. Madje aq shumë sa babai i saj i ndryshoi vendin shkronjave të emrit të tij, për të formuar emrin e saj.
“Fëmijërinë time, do ia uroja kujtdo që ta kishte. Kujdesi. Respekti që prindërit për ne. Në modestinë e jetës së çdo shqiptari, ata gjenin mundësinë të na ofronin gjithçka”, shton Inva. Sopranoja foli edhe për marrëdhënien e saj të dashurisë, duke pohuar se nuk është “single”.
Gjatë bisedës Inva rrëfeu se marrëdhënia me vajzën e saj Ninën dhe djalin Anthony është një gjë e shtrenjtë. Por pavarësisht historisë së pasur artistike, ajo këmbëngul që fëmijët nuk duhet të imponohen në zgjedhjet e tyre. “Nuk kam dashur kurrë që të imponoj asnjërin nga fëmijët për zgjedhjet e tyre. Kalimi i Anthony në muzikë ishte plotësisht një dëshirë personale e tij. Unë dhe ai kemi një projekt bashkë, por ende nuk do të publikohet. Këtë do ta vendosë ai”.
Për të sekreti i suksesit të madh, është gjetja e ekuilibrit mes divës në skenë dhe njeriut të përditshëm. Në mbyllje të intervistës, duke dhënë edhe një mesazh për të rinjtë, Mula i ka këshilluar që kurrë të mos heqin dorë nga shpresa.