Vrasjet me pagesë kohët e fundit duket se është një “biznes i nëndheshëm” që po lulëzon në vendin tonë. Kjo vërtetohet edhe nga ngjarjet e shumta kriminale dhe kapjen e disa nga vrasësve me pagesë. Të fundit të arrestuar janë vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj të cilët bëhen përgjegjës për disa ngjarje kriminale në vend.
Ajo që vihet re, është se ndër vështirësit kryesore të këtyre vrasësve me pagesë janë sigurimi i mjeteve të punës. Që nga armët dhe tek makinat, këto mjete pune kanë sjellë konflikte mes kriminelëve që me pas i kanë nxjerrë zbuluar tek autoritetet.
Një konflikt i tillë ndodhi mes Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës që vulosi armiqësinë e përjetshme mes tyre. Dikur miq të ngushtë, por më pas armiq të përbetuar, që prej vitesh tentojnë të eliminojnë fizikisht njëri – tjetrin por edhe bashkëpunëtorët e tyre. Kjo është historia e dy vrasësve me pagesë Talo Çela dhe Nuredin Dumani.
Ky i fundit i arrestuar disa muaj më parë pasi mbeti i plagosur në një atentat në Elbasan, ndërsa armiku i tij Talo Çela vijon ende të jetë në kërkim. Nuredin Dumani ka pranuar të flasë për të shkuarën e errët dhe kriminale të tij. Ai ka rrëfyer para SPAK edhe se si nisi armiqësia mes tij dhe Talo Çelës. Mësohet se gjithçka ka nisur pas vrasjes së Andi Zylyfit, djalit të hallës së Erion Alibej.
Nuredin Dumani rrëfen se në vitin 2019-të pati një konflikt me Talo Çelën pasi e kishte ndjerë veten të përdorur prej tij. Dumani shprehet se një makinë që ai e kishte të falur dhe e ruante për ndonjë ngjarje tjetër por i ishte kërkuar nga Talo Çela për të kryer vrasjen e Andi Zylyfit.
Por jo vetëm Dumanin me Talo Çelën, por edhe vëllezëri Beqiraj u futën në konflikt për makinat e krimit me miqtë e tyre.
Në datë 4 Janar 2022, në zonën e Don Boskos në Tiranë ndodh një masakër me 1 të vrarë dhe 4 të plagosur. Por, mesa duket në këtë vrasje ishte ngatërruar objektivi. Kjo del nga dëshmia e Indrit Beqiraj, i cili është arrestuar së bashku me vëllain e tij Gentjanin, dhe ka rrëfyer disa krime të pazbardhura si dhe ka zbuluar një grup vrasësish me pagesë.
Në dëshminë e tij për ngjarjen e 4 Janarit 2022 në Don Bosko Indrit Beqiraj tregon se ai dhe vëllai i tij, së bashku me Kevin Zenelin (Suçi) kishin ndjekur Geron Hasanbelliun dhe nipat e tij. Ata kishin parë se Geron Hasanbelliu pinte shpesh kafe në të njëjtin lokal. Por dy vëllezërit Beqiraj, të pajtuar nga Kevin Zeneli me porosi të Kasandër Nogës për të vrarë Geron Hasanbelliun, nuk kishin mundur. Sipas dëshmisë së Beqiraj, miku i tij Kevin Zeneli i kishte marrë makinën pa paraljmëruar.
DËSHMIA E INDRIT BEQIRAJ: Më datë 04.01.2022, ka ndodhur një ngjarje në Don Bosko tek lokal Fokus, ku është qëlluar me armë dhe janë vrarë persona, kam parë në lajme ngjarjen ku ndër të tjera, pashë nga kamerat edhe makinën Benz që më kishin sjellë mua më parë për të vrarë Manecin dhe që ma mori Kevin pa lajmëruar.
E kam telefonuar Kevin direkt por nuk ma ka hapur telefonin. Nga data 06.01.2022 më telefonon Kevin dhe më kërkon një test Covidi për të kaluar kufirin, ia bëj në Durrës tek një laborator i Ergys Hoxhës me emrin “Kasa” që ndodhet në Kënetë në Rrugën Vllazërimi.
Ia kam bërë dhe ka ardhur për ta marrë vetë dhe ka paguar lekët për testin dhe më la dhe mua 50 Euro. Kevinin e nxorra direkt tek Ura e Dajlanit në këmbë dhe gjatë kësaj kohe e pyeta për punën e Don Boskos dhe thashë që ç’a bëtë pse u gabua objektivi se është gjynah se u vra tjetër për tjetër.
Më tha u gabua informata. Kur e pyeta se me kë kishte qenë ai nuk më tregoi emër a person por më tha që i kishte dhënë njërit një shumë prej 50.000 Euro dhe Kevinin e mori nga Ura e Dajlanit një makinë tip Porsche Cayene tip i fundit se topat mbrapa i kishte me viza.
Objektiv i atentatit në atë ngjarje ka qenë Geron Hasanbelliu. Kevin është larguar drejt Kroacisë pastaj Gjermanisë dhe në dijeninë time është takuar dhe me Kasandrin i cili i ka kërkuar llogari për ngjarjen tek Don Bosko. Ka komunikuar me mua dhe më ka thënë që të vrisja nipat e Geronit pasi kishin dalë në Astir. /abcnews.al