Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, priti sot Kryetarin e Prezencës së OSBE-së, Ambasadorin Vincenzo Del Monaco, me rastin e përfundimit të misionit të tij në Shqipëri.

“Ju jeni një mik i mirë dhe partner i spikatur të Kuvendit të Shqipërisë. Shpreh mirënjohjen për kontributin në zgjerimin e bashkëpunimit mes Kuvendit dhe Prezencës së OSBE-së për avancimin dhe thellimin e reformave, në mënyrë të veçantë të reformës zgjedhore dhe reformës administrative-territoriale.

Gjatë misionit tuaj në Tiranë bashkëpunimi mes Kuvendit dhe Prezencës së OSBE-së u intensifikua dhe krijuam një kulturë të re bashkëpunimi, për zbatimin e projekteve e procedurave parlamentare, duke rritur “pronësinë” e kontributit të Kuvendit dhe shërbimeve parlamentare në këtë bashkëpunim. Kjo kulturë e re ka rritur transparencën e veprimtarisë parlamentare dhe qëndrueshmërinë e projekteve e programeve të bashkëpunimit.”, u shpreh Nikolla.

Ambasadori Vincenzo Del Monaco falënderoi Kryetaren Nikolla për vizionin e saj në drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe bashkëpunimin me Prezencën e OSBE-së, si edhe për vlerësimin e lartë të këtij bashkëpunimi dhe vuri në dukje se Prezenca dhe Kuvendi janë nisur nga qëllimi i përbashkët për të rritur kontributin e Kuvendit në shërbim të zhvillimit të vendit, konsolidimit të demokracisë, kushtetueshmërisë dhe plotësimit të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.