Me Brojën për herë të parë si titullar në fushë, Chelsea ngec në një barazim pa gola përballë Brentford. Për herë të parë, pas tre fitoreve radhazi, që nga dita kur u ul në stolin e Chelsea, Potter le pikë në Premier League.
Për 62 minuta në fushë, Armando Broja ishte protagonist në radhët e bluve, ishte nga të paktët lojtarë që dhuroi shkëndija pozitive, shpërthyes sa herë lëshoj në sprint, por mbi sulmuesin kuqezi rëndon jo pak ai episod në minutën e 39-të, kur shpiku një rast nga hiçi, por nuk shërbeu për Mount, i vetëm në zonë. Në fund Broja as nuk shënoi e as nuk shërbeu si duhet.
Potter e uli në stol në minutën e 62-të, por as Sterling e as Aubameyang me pas nuk arritën të gjenin prekjen fituese duke bërë që sfida të përfundonte në barazim pa gola. Në përfundim të sfidës, Potter u ndal edhe te paraqitja e Brojës:
“Pamë në pjesën e parë 2-3 veprime të asaj që ai është në gjendje të bëjë. U paraqit mirë. Brentford bën presing shumë dhe menduam se mund ta përdornim Brojën. Ishte dueli i parë, mjaftonin 60 minuta”, deklaroi trajneri i Chelsea.