Kur i përmend fjalën Madrid, Aleksander Ceferin bëhet gjithnjë serioz. Kur u pyet për momentet më të vështira që kur ka marrë drejtimin e UEFA-s, Ceferin listoi me radhë, idenë për krijimin e Superligës të parën dhe më pas COVID-19, kjo tregon qartë se e sikletshme ka qenë dhe mbetet kjo temë për të. Sa herë flet dikush nga ideatorët e Superligës, ka gjithnjë një kundër përgjigje nga Ceferin.
Një ditë më parë, presidenti Perez u shpreh se Superlgia do të thotë cilësi, ndërsa bëri një krahasim interesat: “A janë mërzitur tifozët nga dueli Nadal-Federer, ka ndodhur më shumë se 40 herë, ndërsa Real Madrid dhe Liverpool janë përballur vetëm 9 herë në 67 vitet e fundit”.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Ceferin: “Ishte një ide ortakësh që kishin për qëllim të shkatërronin futbollin. Mbase kemi folur më shumë se sa duhet për Superligën, për mua është një problem që nuk ekziston më”, theksoi Ceferin duke u kthyer më pas te finalja e Conference League e zhvilluar në Tiranë: “Conference League ishte një sukses, finalja e zhvilluar në Tiranë është ndjekur më shumë se sa finalja e Europa League, u shpreh presidenti i UEFA-s i cili ndër të tjera shtoi se Champions League në 2024 do të vijë me një format të ri, më të hapur, pa kategori, ku të gjithë mund të përballen me të gjithë.