Nga Mero Baze/
Ndërsa Kuvendi i Shqipërisë është duke miratuar një ligj për hapjen e dosjeve dhe lejimin e korrigjimit të certifikatave të pastërtisë dhënë nga Komisionet Bezhani e Mezini, dosja e ilir Meta/Metaj po qarkullon lirshëm nëpër portale, e plot.
Në dosjen e qytetarit Filip Talo duket qartë se Ilir Meta/Metaj është personi që me teknikë operative ka siguruar dëshmitë se ai ka folur për tu arratisur jashtë shtetit. Ligji jonë parashikon se personat që kanë dhënë dëshmi të fshehta në gjyqe politike, konsiderohen bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.
Ilir Meta/Metaj i plotëson gjithë kushtet për këtë status dhe do ta marrë. Por kjo nuk zgjidh më asgjë. Për tridhjet vjet, Ilir Meta/Metaj, është personi që ka arritur të marrë dhe të gëzoj gjithë postet e mundshme politike në një vend. Ai u bë deputetët 22 vjeç, kryeministër 28 vjeç, kryetar parlamenti 44 vjeç, President 48 vjeç dhe tani sillet rrugëve të Shqipërisë pasi i ka ndërruar emrin partisë së tij të vjetër.
Dekomunistizimi i shoqërisë dhe mbajtja larg e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit nga jeta publike dhe politika, ka kuptim kur arrihet ky qëllim. Ilir Meta/Metaj që bazuar në këtë ligj, mund të lejohej të ishte vetëm peshëngritës, për tridhjet vjet ka arritur të marrë gjithçka çfarë mund të marrë një politikan nga postet më të larta publike në vend, duke qenë rekordmeni i Shqipërisë. Tani shpallja e tij bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, ngjajnë më tepër si grada e fundit që duhet të merrte dhe jo si ndëshkimi i parë.
Tani me qesëndi ai do të thotë se ka qenë deputetët kryetar partie kryetar FRESH, kryetar parlamenti kryeministër president …dhe bashkëpunëtorë sigurimi.
Dëmi më i madh që i ka bërë Ilir Meta dhe Sali Berisha standardeve poshtëruese në Shqipëri është normalizimi i tyre.
Ilir Meta e normalizoi të qenit bashkëpunëtorë sigurimi në politiken shqiptare. E normalizoi jo aq duke mos e pranuar akuzën për dosjen që po i del sheshit, por e normalizoi duke e konsumuar atë si një normalitet që ja tregojnë pas betejës.
Në të njëjtën mënyrë Sali Berisha po normalizon statusin e tij “a non grata” në perëndim. Pasi u shpall “a non grata” nga Sekretari Blinken për korrupsion madhor familjarisht dhe minues të demokracisë, ai nisi një lëvizje politike antiamerikane, duke e konsideruar suskesin politik si sukses antiamerikan.
Të njëjtën gjë bëri dhe me Britaninë e Madhe e cila po ashtu e futi në listën e personave “a non grata” për korrupsion dhe lidhje me njerëz të inkriminuar që i përdor politikisht. I ra shkurt dhe akuzoi ambasadorin Britanisë së Madhe në Shqipëri si të korruptuar dhe thotë gënjeshtra të cilat tani duken normale. Për shembull thotë Damir Fazliç nuk ka qenë kurrë në zyrën time. Unë personalisht e kam takuar tre herë në jetë Damir Fazliçin në zyrë të tij. Gjithë shqiptarët e kanë parë bashkë me të në Mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar dhe vet është mburrur në parlament më 2008 se e ka mik dhe është armik i socialistëve. Vajza e tij ishte “de facto” pronare e kompanive te të tij, me bazë në Qipro përmes te cilave pastronin leket e fituara këtu.
Por duke thënë gënjeshtra të reja për çdo akuzë të rënd, duket sikur krijohet një gjendje normale dhe për këtë çështjen e “non gratës” duke e konsideruar dhe atë sikur është gënjeshtër.
Është historia e dy njerëzve të cilët deformimet e thella të jetës së tyre politike dhe pushtetit, po përpiqen ti paraqesin si normalitet duke na imponuar të gjithëve standardin e pranimit të bashkëpunëtorit të sigurimit të shtetit, standardin e pranimit të një familje të korruptuar si familja Berisha, pranimin e një grupi politikanësh që njihen si shantazhues të drejtësisë, etj. Pra po përpiqen të na imponojnë normalizimin e së keqes. Për të bashkëjetuar përjetësisht me të. Kjo është arsyeja që më shumë se sa Berishës e Metës duhet të na vij turp ne që pas 30 vjetësh ata kanë bërë çfarë kanë dashur, kanë vjedhur, kanë vrarë, kanë spiunuar, kanë shantazhuar dhe tani këtë gjë duan të na e imponojnë si normalitet. Ky është rasti kur të turpëruarit mbetemi ne. Ata nuk kanë faj që u duket normale çfarë kanë bërë, derisa nuk u ka hyrë asnjë gjemb në këmbë.