Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratave të opozitës së nga 1 Nëntori do të rritet çmimi i energjisë, duke e konsideruar lajm të rremë.
Në një postim në Twitter, Rama thotë se qytetarët do të mbrohen nga çmimi i energjisë dhe nuk do të ketë rritje të tarifës.
“Opozita e Rublave e mediat e saj po u thonë sot shqiptarëve se Qeveria ka deklaruar rritjen e çmimit të energjisë në 1 nëntor! Një lajm dyfish i rremë: Kemi 14 muaj që themi çmimi do mbrohet siç po mbrohet dhe s’e kemi deklaruar kurrë diçka të tillë! Pse e bëjnë? #DavaRublash”, shkruan Kryeministri Rama.
Më herët gjatë kësaj jave, ERE miratoi vendosjen e fashës 800 kilovat/orë për abonentët të cilët do të paguajnë më shumë nëse tejkalojnë këtë fashë. Deri në 800 kilovat/orë, çmimi i energjisë mbetet i pandryshuar.