Nga Mero Baze

Përtej zhurmës së dasmës së Berishës që martohet për herë të tretë me gruan e parë, ka një të vërtetë që duhet ta pranojmë të gjithë. Martesa e Berishës me Ilir Meta/Metaj, është natyrale, e vërtetë dhe strategjike për hallin që ka Sali Berisha dhe partneri i tij në këtë martesë.

Të dy bashkë janë në një betejë afatgjatë, që do t’i ndjekë fizikisht gjithë jetën e tyre të gjallë mbi tokë me Perëndimin. Sali Berisha dhe familja e tij, që në fakt është pronare e asaj pjese të Partisë Demokratike, janë përjetësisht të dënuar si të korruptuar, minues të demokracisë dhe shantazhues të sistemit të drejtësisë. Janë certifikuar nga institucioni më autoritar i demokracisë në botë, Departamenti Amerikan i Shtetit.

Faktin që Partinë Demokratike të Berishës e drejton djali i tij, po ashtu hajdut dhe shantazhues i drejtësisë, e bën dhe më të rëndë dhe të pashpresë perspektivën e asaj partie. Është thjeshtë një familje kriminale, që ka nxjerrë plakun e shtëpisë rrugëve, për hallet e saj.

Ilir Meta është po në atë rrugë. Të dy bashkë kanë përqafuar një kurs anti-perëndimor, të diktuar fillimisht nga nevoja për të minuar reformën në drejtësi, që e shikonin si një komplot kundër të ardhmes së tyre. Rrugës pastaj janë bashkuar, për më shumë se aq gjëra.

Janë bashkuar për t’u mbrojtur nga drejtësia me imunitet politik, për t’u faktorizuar në vend si elementë destabilizues dhe për të shantazhuar Perëndimin për lidhje të mundshme me autokratët lindor, po të kemi parasysh dhe vet intervistat e famshme të Ilir Meta/Metaj apo vet Berishës, në raport me SHBA.

Por aleanca e tyre nuk është elektorale. Madje vetëm elektorale nuk është. Ajo është një aleancë ku bashkimi i bën më të vegjël seç janë, më të pafuqishëm seç janë të dy më vete, dhe më të njollosur në opinionin publik. I bën të tillë, pasi duke qenë dy probleme të ngjashme, tani janë vetëm një problem. Një problem që duhet zgjidhur duke i lënë jashtë pushtetit në Shqipëri.

Por duke mos qenë një aleancë e favorshme elektorale, nuk do të thotë se nuk janë një aleancë e fortë politike. Përjashto ndonjë paranojë të Ilir Meta/Metaj në mes të fushatave elektorale, siç i ndodh rëndom, ata janë tani e tutje të pandashëm. Praktikisht Ilir Meta/Metaj është nënkryetari i Berishës, dhe ajo pak LSI që ka mbetur është thjesht seksion partie i Berishës.

I vetmi problem që ata kanë, është se nuk janë fitues, nuk diktojnë dot fatin e Shqipërisë dhe orientimin e saj perëndimor dhe mbi të gjitha, nuk diktojnë dot më as opozitën.

Në një farë mënyre bashkimi i tyre është një bekim për çdo opozitar të ri, për çdo faktor opozitar që kërkon të bëjë opozitë në Shqipëri dhe për çdo deputet apo anëtar të PD që kërkon të ruajë identitetin dhe arsyen përse ka lindur Partia Demokratike. Ata duhet të bashkohen në opozitën pro-perëndimore të Shqipërisë, në një aleancë politike e cila duhet të mbrojë vlerat perëndimore të shoqërisë sonë në emër të opozitës shqiptare.

Çifti në fjalë ua kanë bërë të lehtë çdo vendim për vepruar jashtë tyre, për të hequr çdo kompleks se mos dëmtonin “bashkimin” e demokratëve në bazë e broçkulla të tjera, me të cilat Berisha është përpjekur t’i kompleksojë.

Tani nuk kanë më asnjë iluzion.

Në opozitë ka ndodhur martesa e duhur, dhe e keqja është mbledhur në një vend. Sado e madhe të jetë, është e vogël për të dëmtuar Shqipërinë dhe opozitën. Thjesht duhet izoluar dhe kapsuluar si ato mbetjet toksike, që të mos dëmtojnë njeri. Ata janë opozita e vërtetë e Perëndimit në Shqipëri dhe jo opozita e vërtetë që i duhet Shqipërisë. Ajo e vërteta duhet t’i sfidojë ata. Duke mos i lënë t’i mundë vetëm pushteti, por dhe vet opozita.