Nga Fatos Çoçoli/

Paketa fiskale 2023 pasqyron një zotim serioz për të rritur miradministrimin e të ardhurave të Shtetit, duke e afruar legjislacionin tonë të taksave me direktivat(ligjet) e Bashkimit Europian. Ajo përmbledh një projektligj të ri “Për Tatimi mbi të Ardhurat”, si dhe shtesa dhe ndryshime në ligjet ekzistuese për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar(TVSH), Akcizat dhe Procedurat Tatimore.

Beteja e Paketës me informalitetin

Ndërhyrjet e propozuara janë politikë tatimore, por edhe masa administrative, për të kufizuar informalitetin. Kjo plagë e shoqërisë dhe ekonomisë sonë nuk luftohet vetëm me ndërgjegjësim dhe fjalë. Një shtet e bën shtet zbatimi i gjobës për të gjithë pa dallim, nëse këta “të gjithë” kanë shkelur rregullin dhe ligjin.

Nuk mund të jetojmë më në rrëmujën e të rregulltit dhe të ndershmit me pagimin e detyrimeve ndaj shtetit, që i duket vetja budalla, pse është korrekt dhe paguan, dhe shkelësit të ligjit që i duket vetja i zgjuar dhe trim, pse po shkel ligjin dhe rregullat, dhe “po ia hedh”.

Informaliteti prek një të tretën e prodhimit kombëtar dhe mbyt përfitimet nga rritja ekonomike. Ai nxit orë e çast pasurimin nga shmangja e detyrimeve(evazioni), kontrabanda dhe korrupsioni.

Një vend me informalitet të lartë nuk mundet kurrë të ndërtojë një shtet ligjor. Çmimi Nobel për ekonominë i vitit 2013, profesori dhe studjuesi Robert J. Shiller, shprehet se “Infomaliteti në ekonomi duhet luftuar si një e keqe e barabartë me trafiqet e paligjshme dhe korrupsionin”( https://www.nytimes.com/2022/09/28/opinion/housing-prices-pandemic.html) .

Prandaj dhe paketa fiskale 2023 përmban kryesisht masa që lidhen me luftën kundër informalitetit në tregun e punës, ku konstatohen raste të të punësuarve në të zezë ose me paga të deklaruara nën shifrën reale, për t’ju shmangur pagesave të sigurimeve shoqërore. Paketa parashikon dyfishim gjobash për rastet kur evidentohen mosdeklarime punonjësish, fshehje e pagave apo mosdeklarim i kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Në ekonomi: nga ferra e madhe fshihet lepuri i madh

Në ekonomi është një rregull që thotë se në ferrën e madhe fshihet lepuri i madh. Paketa parashikon ashpërsim të gjobave për rastet e mosshoqërimit të mallrave me faturë, por vetëm për biznesin e madh, sepse ky biznes mban hapësira të jashtëzakonshme për evazion, me armatën e këshilltarëve tatimorë që paguan dhe detyra e administratës sonë tatimore është pikërisht të luftojë pa kompromis informalitetin në ekonomi.

Krahas këtij mesazhi kryesor, paketa fiskale 2023 rrit pagën pa taksë ndaj shtetit nga 400 mijë lekë të vjetra në 500 mijë lekë të vjetra. Pavarësisht se buxheti humb mbi 10 milionë euro në vit në këtë mënyrë, nga 1 janari 2023 do të ndihmohen me po kaq para të 70 mijë punonjësit që sot paguhen me paga nga 400-500 mijë lekë të vjetra në muaj.

Nga futja në skemën e tatimit e profesioneve të lira, buxheti i të gjithëve do të përfitojë 17 milionë euro në vit. Kjo masë do të shmangë dukurinë e shëmtuar të kalimit të mijëra qytetarëve me paga të larta nga gjendja e të punësuarit ku paguan detyrimin ndaj shtetit, në statusin e të vetëpunësuarit, ku nuk i paguan gjë arkës së të gjithëve, edhe pse merr të ardhura të majme.

Shumë ndryshime të tjera do të ndihmojnë qytetarët që do të blejnë dru për të përballuar dimrin dhe shmangur harxhimin e energjisë elektrike nga ngrohja me korent, për qytetarët që do të blejnë makina elektrike, etj.

Biznesi: i pyetur dhe i dëgjuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë

Nuk është e vërtetë që nuk janë dëgjuar propozimet e shoqatave të biznesit nga përgatitësit e paketës fiskale 2023. Ata kanë marrë 188 kërkesa nga biznesi, dy të tretat e të cilave i kanë zgjidhur. Gjykoj se mirëadministrimi i mbledhjes së taksave dhe tatimeve do të na krijojë mundësitë si shtet dhe shoqëri, që të mbledhim në arkën e përbashkët për vitin e ardhshëm 360 milionë euro më shumë se sa ky vit. Pavarësisht se pjesa më e madhe e këtyre parave vijnë nga inflacioni i rritur, një pjesë e mirë do të vijë edhe nga përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave dhe këtu qëndron baza e të ardhmes. Nëse vijojmë me këtë përmirësim, po 360 milionë euro do të arrijmë të mbledhim më shumë edhe në vitin 2024, por kësaj rradhe, me inflacion të ulur dhe vetëm nga disiplinimi i mbledhjes së detyrimeve ndaj shtetit, që na ka sjellë zbatimi i rregullave dhe ligjeve të paketës fiskale 2023. Edhe për shkak të saj, jam i bindur që rritjen ekonomike për vitin e ardhshëm, nuk do ta kemi 2.6 përqind, sa e parashikon për ne Banka Botërore, por 3 përqind e ndoshta edhe më shumë.