Nga Jakin Marena/

Sali Berisha dhe Ilir Meta nënshkruan marrëveshjen politike në emër të shumicës së PD dhe Partisë së Lirisë për të dalë në koalicion të përbashkët në zgjedhjet e përgjithshme vendore të 14 majit të vitit të ardhshëm. Eshtë e treta për nga numri e bërë publike një marrëveshje e tillë mes këtyre dy liderëve politikë, të cilët për 32 vite me radhë kanë “konsumuar” të gjitha nivelet e qeverisjes nga ministri e deri tek Presidenti. Po aq herë dhe Meta e ka “tradhëtuar” Berishën duke kaluar në krahun tjetër politik dhe duke bërë aleancën e natyrshme në atë kohë, me Partinë Socialiste, prej të cilës LSI ka dalë në vitin 2004. LSI është paraardhësja e Partisë së Lirisë që udhëheq Meta sot.

Por në të gjitha herët siç e ka treguar dhe koha, Berisha dhe Meta kanë qënë në një aleancë të heshtur mes tyre, duke u marrë vesh në “ajër” sa herë që kanë parë fuqizimin e PS apo janë kërcënuar nga partnerët dhe drejtësia, duke bërë përpjekje për t’i ulur fuqinë dhe mbojtur veten. Pothuajse shumica në PS mendon se dhe aleanca e 2013, një vendim i beftë i Ramës dhe Metës për të dalë në koalicion kundër Berishës, anispse LSI ishte në një marrëveshje zyrtare bashkëqeverisëse me PD dhe kishte numrin dy të qeverisë dhe gati 40 përqind të pushtetit, ishte një “tradhëti” me leje nga ana e Metës. Leja i ishte dhënë nga kryeministri e aleati i asaj kohe.

Berisha e kishte nuhatur se nuk kishte fuqi të përballonte zemërimin e qytetarëve ndaj qeverisjes e tij 8 vjeçare, nga të cilat 4 me Metën, pra e kishte të sigurtë humbjen në zgjedhje. Referuar dhe rezultatit bazik të zgjedhjeve parlamentare të 2009, ku doli thuajse në mënyrë të barabartë me Ramën, pavarësisht se “zeroi” shumë vota të majta. Deri tek zerimi proverbial i votës së aleatit të atëhershëm të Ramës, kreut demokristian Nard Noka, vota e të cilit bashkë me bashkëshorten nuk u pa askund. Rezultati shkoi 150 me zero, pa asnjë votë e pavlefshme. Vota kishte “firuar”. Për më tepër që Edi Rama fitoi thuajse të gjitha bashkitë në zgjedhjet e vitit 2011, madje dhe Tiranën, të cilën falë makinacioneve Berishës përmes KQZ në fund të herës pasi e katandisën në 10 vota diferencë në favor të Ramës, dhe pas pas ia morën fitoren në tavolinë.

Pra, Berisha e kishte parë se humbjen e kishte të sigurtë, dhe për të shpëtuar atë çka ishte e mundur për t’u shpëtuar i dha “leje” Metës të bënte koalicion me Ramën, çka solli një fitore të thellë të zgjedhjeve nga opozita në vitin 2013. Por PS mori vetëm 66 deputetë dhe varej nga LSI për të bërë qeverinë dhe vazhduar qeverisjen e vendit. Dhe “Kali i Trojës” te e majta Ilir Meta mori jo vetëm vota të PD me vete, por dhe gati gjithë strukturën administrative të trashëguar nga PD, një pjesë të të cilëve i pajisi me teseren e LSI për t’i mbajtur në poste drejtuese e në punë. Megjithëse sipas ekspertëve Rama mund t’i fitonte me aleatët traditcionalë dhe pa Metën këto zgjedhje, për të qënë i sigurtë në fitore ai hyri në aleancë me LSI. Ndërkohë që “matematicieni” Gjinushi i cili përllogariti skemën e fitores së PS e aleatëve pa Metën, u vu në qendër të goditjes së LSI e të mediave që e mbështesnin. Madje dhe u anashkalua në atë kohë. Si kusht nga Meta.

Berisha e kishte Metën aty për ta përdorur kur t’ia lypte nevoja. Pavarësisht se s’la akuzë pa bërë në drejtim të tij. Shkëmbimi i akuzave për vrasje me pagesë, korrupsion e 700 mijë euro ryshfet ishin temë e ditës, bashkë me ato se “kishte dhënë dorëheqje njëherë për Shkelzenin i cili ishte në videot e Dritan Priftit, ndërsa tani nuk e jepte më” u bënë temë e ditës në atë kohë, ndërsa sot shërbejnë më shumë për të argëtuar shqiptarët. Por dhe për të treguar se çfarë janë në gjendje të “gëlltisin” politikanët tanë për pak pushtet, duke kapërcyer dhe kufijtë “zyrtarë” të amoralitetit politik. Por njëherësh Meta i premtoi Berishës dhe mbrojtje nga drejtësia. Dhe u përpoq. Berisha kërkoi ndihmë më 2016, kur Meta ishte kryetar Parlamenti, për t’u mbrojtur nga reforma në drejtësi dhe për ta shuar si ide ende pa nisur, reformë që ishte kthyer në temë e ditës dhe me mbështetjen e fortë të SHBA dhe BE. Meta, pavarësisht se në koalicion qeverisës me Ramën e kundërshtoi këtë reformë. Berisha ia kujtoi se e kërcënonte dhe vetë Metën ngritja e një sistemi të ri drejtësie. Ndonëse shkuan me “hap dhe këngë rreshtore” në Kuvend të detyruar nga SHBA e BE dhe të 140 deputetët e dhanë votën pro, Berisha e Meta kurrë nuk e kanë dashur reformimin e plotë të drejtësisë. E kanë sulmuar në të gjitha rastet.

Ndërsa Meta nuk u ndal. Madje e kërcënoi Ramën se mund të dilte nga koalicioni qeverisës, duke rrezikuar dhe rrëzimin e qeverisjes PS-LSI , vetëm tre vite nga ardhja në pushtet. Nuk la asnjë moment ndonjë shans për të diskutuar për një koalicion të mundshëm PS-LSI për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 të cilat ishin në prag. Me gjithë thirrjet e Ramës për këtë qëllim. Janë me të vërtetë proverbiale përgjigjet e Metës ndaj gazetarëve kur e pyesnin për koalicionin me Ramën, teksa thoshte se këto nuk ishin të rëndësishme, pasi “më rëndësi ka përballja për kreun e LSI me rivalin Shezai Rrokaj”. Pavarësisht se e dinin të gjithë se Meta e kishte pronë të tij LSI-në dhe rezultati s’kishte shanse të binte poshtë 90 përqindshit për të.

Historia më pas dihet. Meta pavarësisht se u zgjodh President disa muaj më vonë me votat e PS dhe të LSI, mbeti kryetar i kësaj të fundit, por dhe një aleat potencial i Berishës. E tha dhe vetë Rama, i cili nënvizoi se është presidenti më i mirë për opozitën. Megjithëse Meta e Berisha, të dy bashkë futën Bashën dhe PD në “çadrën e lirisë”, njëri e mbështeste nga Brenda tjetri nga jashtë. Për t’i bërë presion Ramës. Në fund të herës prap ia ‘futën’ njëri tjetrit, teksa Basha nënshkroi marrëveshje bashkëqeverisëse me Ramën, me “lejen e Berishës kuptohet, duke marrë gjysmën më vitale të qeverisjes dhe të gjitha institucionet me lekë. Meta nuk ishte i acaruar ndaj Ramës, më shumë se sa ndaj Bashës dhe Berishës urdhërues të “birit” të tij politik, se ia kishin punuar pas krahëve. Shpërthimi ditën e zgjedhjeve në Lezhë, ndonëse ishte President i zgjedhur dhe kërcënimi me armë i Ramës, e tregoi qartësisht këtë.

Pjesa tjetër s’ka histori. Opozita PD-LSI kaloi në një kalvar të vërtetë krize pas fitores së Ramës me 74 vota i vetëm, gjë që çoi dy vite më vonë në “harakirin” kolektiv politik të opozitës, e cila dogji mandatet dhe realizoi bojkotin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019. Ku Meta u shfaq hapur si një opozitar i thekur, anispse kishte veshur “mantelin” e Presidentit, simbolit të unitetit të kombit e të njeriut mbi palët. Ishte bërë palë. Madje tha se do merrte dhe drejtimin e opozitës. I thamë këto për të treguar shkurt gjithë ecurinë e ulje-ngritjeve të marrëdhënieve mes Metës dhe Berishës në vitet e fundit, për të mbërritur në marrëveshjen e koalicionit të një ditë më parë, që i detyron të dalin bashkë në zgjedhje. Nuk po hyjmë në termat teknikë të kësaj marrëveshjeje, pasi thelbi është se Berisha do të marrë kandidatët për kryetarë bashkie, ndërsa Meta do garojë vetëm për këshilltarë bashkiakë. Dhe aty ku ndihmon për të bërë shumicën, do të zgjedhë kryetarin e këshillit bashkiak. Apo “Parlamentin vendor” siç ka dëshirë aleanca Berisha-Meta ta quajë. Me rëndësi është diskutimi se si gjeti opozitën në tërësi kjo marrëveshje dhe çfarë impakti mund të shkaktojë në të ardhmen, gjatë ballafaqimit zgjedhor. Ku lufta do bëhet dhe për një votë, pasi opozita po shkon drejt 12 viteve pa “prekur” pushtet, ndërkohë që qeverisjes vendore ka kohë që ia ka “harruar erën”.

PD është e copëtuar në dy pjesë, më e pakta që mund të themi për këtë ndarje. Grupi i Enkelejd Alibeajt që zotëron shumicën e grupit parlamentar të kësaj partie, po i reziston fort “pushtimit “ të PD nga Berisha, i cili zotëron shumicën e anëtarësisë. Teksa të dyja palët nënvizojnë domosdoshmërinë për një bashkim të PD në një të vetme e daljen me kandidatë të përbashkët, mënyra se si e shohin këtë bashkim, pavarësisht caktimit të negociatorëve Gazmend Bardhi dhe Edi Paloka për secilën palë, është diametralisht e kundërt. Nëse grupi i Alibeajt, Berisha akuzon Bashën se qëndron pas këtij grupimi, kërkon që negociimi për bashkim të bëhet pa kushte, për të zgjedhur në çdo bashki një kandidat të vetëm të opozitës, një figurë përbashkuese dhe që thith më shumë vota, Berisha ka një qëndrim tërësisht të kundërt. Dhe këtë e ka shprehur jo vetëm me deklarata por dhe me veprime politike.

Teksa negociatat ishin në kulm, ishin bëra disa takime në kafe mes Bardhit e Alibeajt, Berisha e vuri grupin kundërshtar para faktit të kryer. Ai mblodhi kryesinë e “Rithemelimit” dhe shpalli fillimin e procesit të zhvillimit të primarëve për zgjedhjen e kandidatit për kryetar bashkie në të gjitha njësitë vendore. Kurse për Tiranën, Durrësin e Elbasanin, më me prioritet, mundësisht të zhvilloheshin deri më 3 nëntor. Madje urdhëroi dhe ngritjen e komisioneve për primaret, caktoi datat e zhvillimit si dhe të deleguarit për të gjitha bashkitë. U kujdes fort që të hidhte në media për konsum politik dhe emrat e kandidatëve. Sidomos për Tiranën, Durrësin, Elbasanin e qytetet më të mëdha në vend. Të gjithë përfaqësues të “Rithemelimit”, asnjë nga grupi i Alibeajt.

Një goditje “poshtë brezit” kjo për negociatat e bashkimit, pasi e vinte grupin kundërshtar në PD përpara faktit të kryer. Duke i konsideruar jo një grup që mund të prishë punë nëse s’bashkohen dhe dalin vetëm në zgjedhje, por si një grup të nënshtruar. Duke luajtur me strategjinë e të fortit në parti, Berisha po tenton t’i konsiderojë grupin e Alibeajt e mbështetësit e tyre si inekzistentë, si ushtarë të thjeshtë. Madje bën thirrje të futen në primare me kandidatin e vet dhe të garojnë. Të fitojë ai që ka më shumë vota. Deklaron se do t’i konsiderojë fraksion në PD dhe mburret se po respekton vetëm statutin. Statutin e tij, pasi ka një statut tjetër, i miratuar në kuvendin kombëtar të organizuar nga Lulzim Basha. Që la Alibeajn drejtues të kumanduar të PD zyrtare.

E pranojnë të gjithë se Berisha e dominon PD-në, ka shumicën në këtë parti, në masën 60 deri në 70 përqind të mbështetjes. Dhe njeriu më apolitik i mundshëm e di se në të gjitha rastet, në votimin në primare do të fitojë kandidati i “Rithemelimit”. Pra i Berishës, dhe këtu nuk ka asnjë diskutim. Berisha thotë se s’lëviz nga respekti për statutin e për votën. Sipas konceptit të tij këto.
Por për hir të së vërtetës, PD ka maksimumi 80 mijë anëtarë në të gjithë vendin, dhe sado që Berisha zotëron ndoshta 55-60 mijë anëtarë, ose dhe të gjithë nëse doni, këto numra nuk sjellin fitoren as në bashkinë e Tiranës, sikur të involvohen të gjitha në kryeqytet. Jo më në 61 bashki. Fitorja është përtej këtyre numrave, dhe vetëm bashkimi, mund të bënte që Rama të rrezikohej në 61 bashkitë e vendit. Berisha e di fort mirë këtë, por atij i duhet thjeshtë dhe vetëm dominimi pa asnjë kundërshtim i PD. I duhet për hallin e tij, dhe në opozitë, pasi duke qënë në krye të PD, do të tentojë ta përdorë si mburojë politike kundër SHBA e Britanisë që e kanë shpallur “non grata”, si dhe vendeve të BE apo PPE-të që e trajtojnë si “non grata”. Por për ta përdorur dhe përballë drejtësisë, pasi ka disa dosje të rënda nën hetim, dhe njëherë SPAK do të hetojë mbi to.

E pikërisht në këto kushte kur PD është e ndarë në dy pjesë, si dhe në kulmin e negociatave të bashkimit mes negociatorëve Bardhi-Paloka, Berisha nënshkruan marrëveshjen e koalicionit me Ilir Metën për të dalë bashkë në zgjedhje me Partinë e Lirisë. Me Metën, me të cilin grupi i Alibeajt ka deklaruar se nuk do të bëjë kurrë koalicion. Madje konflikti mes tyre është “flakë”. Një goditje e fortë për negociatat e bashkimit, ndërkohë që PD është akoma në dy pjesë. Madje është në rrugën pa kthim të daljes me dy kandidatë në zgjedhjet e 14 majit. Sepse grupi i Alibeajt që ka vulën dhe logon e partisë, por dhe shumicën e deputetëve, me një mbështetje relative në të gjitha rastet, nuk mund të katandiset në një masë votuesisht të thjeshtë të “Rithemelimit” të Sali Berishës. Pasi janë vënë para faktit të kryer dhe askush nuk i merr më në referencë. Aq më tepër të “gëlltisin” ato që kanë thënë dhe përpos Berishës të durojnë dhe Metën aleat tani.

Dikush mund të pyesë se përse Berisha nxitoi të firmosë paktin parazgjedhor me Metën, ende pa përfunduar negociatat e bashkimit në PD, të cilët janë ngurtësuar dhe s’kanë ende një rezultat. Pozitiv apo negativ qoftë ky. E vërteta e kulluar është se Berisha kërkon që 3 nëntori kur Gjykata e Apelit do të vendosë se kujt i takon vula dhe logo e partisë, ankimim i Alibeajt ky, ta gjejë me disa “punë” të kryera në pjesën e PD që zotëron. Për ta vënë dhe nën presion me faktin e kryer këtë gjykatë, në mënyrë që vendimi të jetë në favorin e tij. Kështu mendon të paktën. Kërkon të imponohet si një lider i shumicës së PD që ka filluar përzgjedhjen e kandidatëve duke respektuar statutin e tij, pikërisht atë statut që do të shqyrtohet në Apel. Ka nënshkruar aleancë me partinë e dytë opozitare në letër të paktën, Partinë e Lirisë së Metës. Ka marrë konfermën e pjesës më të madhe të aleatëve të djathtë, me gjithë rezervat e tyre se vetëm me një kandidat të përbashkët mund të pretendohet t’i shkaktohet ndonjë “frakturë” në ndonjë bashki Edi Ramës në zgjedhjet vendore të 14 majit të vitit të ardhshëm. Pra kërkon të imponohet më 3 nëntor para Apelit si një lider i konsoliduar që respekton statutin e tij, zgjedh kandidatët për kryetarë bashkie përmes primareve dhe nënshkruan aleanca me aleatët për të dalë bashkë në zgjedhje. Ndërkohë që përcjell dhe sinjalin se kundërshtarët e tij në parti, ata që kanë vulën sot e që drejtohen nga Alibeaj s’kanë asgjë. Vetëm vulën dhe logon e PD kanë.

Por nënshkrimi i marrëveshjes për koalicion të përbashkët me Metën një ditë më parë, ende pa arritur bashkimin e gjithë PD, jo vetëm që tregon se Berisha asnjëherë nuk e ka pasur seriozisht idenë e negociatave për bashkim, por po e përçan akoma më tej këtë parti. Madje nuk e dëshiron një gjë të tillë. Pasi dihet nga të gjithë se edhe baza e PD nuk e përtyp koalicionin me Metën. Për më tepër ky pakt i evidenton akoma më shumë ndarjet në PD. Kjo ndarje po precipiton në faktin se një pjesë e mbështetësve që kanë kundërshtuar koalicionin me PL e Metës, e quajnë parti që “majmet” me vota dhe pushtet vetëm në kurriz të partive të mëdha e këtë e kanë provuar sa herë e kanë pasur në aleancë me të, të lëvizin nga “Rithemelimi” duke sjellë në këtë mënyrë shtimin e radhëve të mbështetësve të Alibeajt. Njëqherësh sjell dhe shtimin e numrit të atyre që mund të mbështesin PDIU, pasi kryetari Shpëtim Idrizi ka deklaruar se do dalë i vetëm në zgjedhje. Apo do të ndikojë në shtimin e abstenuesve, të cilët në mungesë të një force opozitare që kënaq pritshmëritë e tyre dhe mungesës së dëshirës për të votuar të majtët, zgjedhin për të qëndruar në shtëpi më 14 maj. Sondazhet këtë thonë. Eshtë gjithëpranuar se pjesëmarrja e pakët në zgjedhje, gjithnjë penalizon opozitën. Eshtë fakt ky, pasi Rama e ka të palëvizur “paketën” mbështetëse elektorale prej 800 mijë votuesish në çdo palë zgjedhje. “Klon” të cilin PD, edhe nëse është e bashkuar, edhe nëse i ka kanalizuar tek opozita të gjitha “burimet” opozitare, e ka të vështirë që ta kalojë për të shënuar ndonjë fitore. Ndërsa në rastin e ndarjes së PD, largimit të votuesve të cilët janë të dëshpëruar për pamundësinë e rrezikimit të pushtetit të Ramës, largimit të aleatëve të djathtë, thellohet më shumë niveli i mungesës së besimit tek votuesit se mund të arrijnë ndonjë rezultat dinjitoz më 14 maj 2023.

Duke shtuar këtu goditjen përfundimtare, aleancën me partinë e Metës të cilën e quajnë jo vetëm parti klienteliste por dhe subjekt politik që rritet vetëm duke “thithur” vota nga partitë e mëdha, në këtë rast të PD, si dhe duke e quajtur Metën një politikan “pa bosht”, që lëviz si lavjerrës politik herë majtas dhe herë djathtas si ta lypë interesi, duke “gëlltitur” kauza apo akuza të ndërsjella me ata që ka bërë koalicion. Pra situata tek opozita është akoma më e pashpresë. Më tepër se ky koalicion mes liderësh politikë, është një aleancë mes njerëzish në hall. Berisha është “non grata” dhe ka kundër gjithë botën demokratike që bën thirrje në drejtim të PD që të ndahet nga e shkuara, pra nga ish kryeministri, ndërsa Meta është vënë “para” me dosjen e Sigurimit të Shtetit. Autoriteti i Dosjeve ka nxjerrë emrin e tij si ish bashkëpunëtor i Sigurimit, dhe deri më tani, përpos deklaratave të “destabilizuara” në media, Meta nuk ka bërë asgjë për ta sqaruar pozicionin e tij. Për më tepër, ka shtuar më shumë dyshimet rreth të kaluarës së tij. Ndaj themi se marrëveshja e nënshkruar mes Berishës dhe Metës u ka vënë “kapakun” të gjitha shanseve për të shënuar ndonjë sukses të mundshëm në zgjedhjet vendore në ndonjërën prej 61 bashkitë e vendit më 14 maj. E ka kaluar opozitën nga një i sëmurë rëndë, në “koma” politike. Vetë pakti Meta-Berisha ka qënë një “puthje vdekjeje” për opozitën. E cila po vijon rrugën pa kthim të humbjeve. Duket e sigurtë kjo, dhe pak muaj na kanë mbetur për të parë humbjen e radhës. Që do të paralajmërojë ndoshta dhe humbjen tjetër të madhe, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Ky paska qënë fati i opozitës nën drejtimin e dyshes Meta-Berisha.